Martin Leka: “Kurajë, zoti Nano!”

(Botuar me 26 Shkurt 1995 në KOHA JONE)

Intervistë ekskluzive e Kryetarit të PS, Fatos Nano dhënë zv/kryeredaktorit të gazetës Martin Leka
Pas një rruge të lodhshme prej më shumë se 4 orë dhe disi të dyzuar për arritjen e qëllimit për të cilin ishim nisur, arrijmë në burgun e Bënçës, Tepelenë. Është një burg i vogël, në një grykë ku për asnjë çast nuk pushon era e ftohtë, edhe pse dita me diell të kujton atë të një dite pranvere po të jesh në Tiranë. Vetëm pritja e gjatë pas portës së hekurt të burgut na bindi mbi vërtetësinë e dyzimit që kishim patur rrugës. Rreth dy orë pritje, gjer në padurim…
Drejtori i Burgut edhe pse e ka marrë autorizimin që i paraqitëm, nuk na lejon të marrim takim me liderin socialist të burgosur. Pamja e tij e egër dhe shikimi inatçor dukej sikur na thoshte: “Ikni, shporruni që këtej”! Nuk e kuptuam këmbënguljen e drejtorit të burgut të Bënçës për të anuluar takimin dhe për pak desh u kthyem nga kishim ardhur. Për më keq, ky drejtor nuk na jepte as arsyen e refuzimit. “Rregullat i di unë këtu!”- thërriste ai me një vështrim të egër… Ndërkohë që durimi ynë kishte arritur “pikën e këputjes”, polici hap portën e madhe në hyrje. Futemi në territorin e burgut nën “shoqërinë” e tre policëve që na qëndrojnë fare pranë. Kontrollohemi imtësisht prej tyre dhe futemi në dhomën e vogël të takimit. Përballë nesh është Fatos Nano, i gatshëm për t’ju përgjigjur pyetjeve:
M. Leka: “Siguria e lartë” e burgut të Bënçës ka bërë që prej më tepër se 6 muaj, të mos shihemi”. Tani që unë e kapërceva sërish pragun e burgut, ç’do të thoni si fillim për “Koha Jonë”?
F. Nano: Kam kënaqësinë t’ju falënderoj për këtë vizitë të papritur që krahas çmalljes me një ish-bashkëvuajtës, më jep kënaqësinë të përshëndetem me një përfaqësues të denjë të një brezi të tërë gazetarësh profesionistë, luftëtarë të fjalës së lirë e të së vërtetës, të cilët kanë sfiduar dhunën dhe prangat gjithfarësh të regjimit të Berishës duke i shërbyer dukshëm emancipimit demokratik të shoqërisë shqiptare. Ndërkaq ju garantoj se “siguria e lartë”e burgut të Bënçës nuk ka cenuar aspak moralin dhe përpjekjet e mia për të ndihmuar e mbështetur frontin tashmë të gjerë e të konsoliduar të opozitës shqiptare ndaj degradimit, anakronizmit dhe pasioneve të verbra të “njerëzve të naftalinës” (po përdor shprehjen e Pashkos), stalinist apo ballist të pandreqshëm, me të cilët Berisha komprometoi rëndë aspiratat dhe proceset demokratike të shqiptarëve në këto 3-4 vjet. Aventurizmi i tyre mori një goditje vendimtare më 6 nëntor. Është siguria e lartë që krijon kjo fitore për të ardhmen tonë të përbashkët ajo që më bën të ndjehem “i shpaguar”për sakrificat e vuajtjet që përballoj dhe krejt koshient për solidaritetin e shqiptarëve që tashmë mbështesin masivisht opozitën progreviste. Kjo periudhë provoi përfundimisht jo vetëm karakterin politik të burgosjes sime, por edhe drejtësinë e akuzave të mia ndaj Berishës. Lufta ime tashmë është bërë lufta jonë e shumicës. Prandaj, më lejoni si fillim, që nëpërmjet gazetës “Koha Jonë” të falënderoj e të përshëndes miqtë dhe dashamirësit e panumërt që mbështetjen për “çështjen Nano” do të dinë ta kthejnë në mesazhe politike dhe elektorale si ai i 6 nëntorit.
M.Leka: Le të kalojmë më konkretisht te problemi që ka “pushtuar” gjendjen e sotme politike në Shqipëri: Referendumi i 6 nëntorit. Ju jeni shprehur politikisht në një mesazh sintetik të publikuar 4 ditë përpara referendumit, por ka interes të dinë më gjerë se si i keni përcjellë ngjarjet që lidhen me të?
F.Nano: Mendoj se është normale, ashtu si dhe për vende të tjera, që problemet fondamentale të një kushtetute demokratike, të dominojnë në jetën politike kombëtare, aq më shumë për ne shqiptarët, me kaq probleme të trashëguara, ende të pazgjidhura dhe me një tranzicion specifik që “origjinaliteti” apo megalomania dhe mediokriteti i pushtetmbajtësve, e bëjnë të pafund. Logjika e kombeve të qytetëruar, siç njihet edhe kombi ynë, e do që kode të tilla themelore të bashkëjetesës civile e të kulturuar, të bëjnë vend për të gjithë, për shumicat dhe për pakicat gjithfarësh, të drejtat dhe detyrimet e të cilave janë ekuivalente dhe administrohen nga pushtete të pavarur, të të barabartëve, të zgjedhur lirisht midis të barabartëve, të cilët kontrollohen reciprokisht. Me fjalë të thjeshta, ky është thelbi i çdo kushtetute qytetare, në kohët e lashta apo moderne qoftë, deformime të skajshme të të cilit historikisht kanë sjellë përpos kanuneve fisnore, sidomos kodet komuniste dhe ato fashiste. Parë nga ky këndvështrim, “projekt-kanuni i Berishës”, siç u quajt, kishte defekte thelbësore, në përmbajtje dhe në procedura. E në të gjitha shoqëritë demokratike procedurat përcaktojnë më së pari përmbajtjen e ligjeve dhe nivelin e drejtësisë sociale. Këto mangësi, me gjithë nxitimin hileqar të Berishës, opozita dhe juristët e ndershëm arritën t’i shpjegojnë në popull, me ndihmën e çmuar të shtypit të lirë. Por, në klimën folklorike që krijuan vetë Berisha dhe “kalorësit”e tij në fushatën referendare, masa e gjerë elektorale mund t’i kishte “kapërdirë”e votuar pushtetet e tepruara të Presidentit, kontrollin e tij mbi drejtësinë dhe mbi qeverinë etj. në rast se do të mungonte akumulimi i bindjeve dhe emocioneve negative ndaj një qeverisjeje të mbrapshtë trevjeçare, që e identifikonin këtë abuzim pushtetesh me emrin e vetë Berishës, të njeriut që kish burgosur e dhunuar kundërshtarët e ligjshëm, guxonte të “lypte besë” për vetveten me një kavalkadë donkishoteske në të gjithë Shqipërinë. Prandaj, është e kotë të “filozofohet”tashmë që vota e 6 Nëntorit ishte kundër projektit dhe jo kundër regjimit të Berishës. Këtë ndëshkim të parikuperueshëm të sovranit për Berishën tashmë e kanë të qartë të gjithë, që nga Dukagjini e deri në Strasburg e Uashington!
M. Leka: A e besoje rezultatin e referendumit të 6 nëntorit më 5 nëntor?
F.Nano: Për këtë besoja shumë më shpejt, qysh kur opozita, socialistët më parë e të tjerët më pas, kapërcyen hutimin dhe ngurrimet e fillimit për këtë sfidë të paligjshme të Berishës dhe u futën me të gjitha forcat në fushatë. Por, bindjen e plotë dhe përfundimtare e krijova në javën e dytë të “kavalkadës presidenciale” kur Berisha nisi t’u besojë edhe vetë spektakleve të tij televizive dhe t’i evokojë ato publikisht. Ju kujtohet?
M. Leka: Si e vlerësoni situatën politike të pas 6 nëntorit dhe çfarë efektesh pozitive mendoni se krijohen për të ardhmen?
F.Nano: Mendoj se Referendumi për Kushtetutën dhe rezultatet e tij sollën ndryshime të rëndësishme cilësore, sidomos në raportet midis politikës dhe qeverisjes, duke krijuar kushtet e nevojshme për zgjidhjen e krizës kushtetuese dhe të asaj institucionale, si problem kyç i tranzicionit. Është fakt se me legalizimin e pluralizmit dhe me përfshirjen e shoqërisë sonë në ciklet e zgjedhjeve të lira periodike, në Shqipëri u krijuan institucionet bazë, si për kalimin në ekonominë e tregut dhe për demokratizimin e politikës e të marrëdhënieve sociale. Por, me këtë tranzicion të vështirë, siç ka theksuar ish-Kryeministri Socialist Francez M. Roccard, “e rëndësishme është të qeveriset vendi, gjithçka tjetër është politike”. (Në kuptimin e propagandës).
Kriza e qeverisjes ka qenë dhe mbetet tipari kryesor i politikës shqiptare të viteve 90 por ajo është bërë dominante; sidomos pas shfaqjes së krizës kushtetuese në gjysmën e parë të vitit 93 e deri sot. Dhe kjo, sepse Berisha dhe PD e tërhequr zvarrë prej tij, krahas aventurizmit në reformën ekonomike dhe arbitraritetit në reformën institucionale, nuk arritën kurrë të vendosnin raporte funksionale midis politikës dhe qeverisjes. 6 Nëntori dhe mosreflektimi absolut i Berishës ndaj rezultatit të Referendumit treguan se regjimi i tij është përfundimisht i paaftë për ta bërë këtë, prandaj gjithçka e mirë duhet pritur nga opozita progresiste (PS, PSD, PAD, PBDNJ etj.), e cila e ka marrë dhe po e mban denjësisht përgjegjësinë mbi veten. Të vendosësh raporte funksionale midis politikës dhe qeverisjes, për të kapërcyer krizën e kësaj të fundit, për ne shqiptarët do të thotë në radhë të parë të institucionalizohet parlamentarizmi, konkurrenca dhe kompromisi mbi bazën e tij, si mekanizëm themelor i një jete politike të qëndrueshme, demokratike, si i vetmi themel për ndarjen reale, balancimin dhe kontrollin reciprok të pushteteve, në një shoqëri si e jona me trashëgimi fisnore e kolektiviste problematike. Vetëm kështu do të arrijmë të dominojmë drejt zhdukjes abuzimin me pushtetin për qëllime elektorale dhe pasurimi i paligjshëm që mbetet funksioni negativ thelbësor i “qeverisjes”së Berishës. Kërkesa dhe aftësia për të vendosur raporte funksionale midis politikës dhe qeverisjes përbëjnë dëshminë më të qartë të konstruktivitetit dhe të prioritetit të opozitës progresiste ndaj pushtetit të sotëm në Shqipëri dhe ndaj të djathtës sonë konservatore e tradicionale. Këtë kuptoi dhe votoi elektorati shqiptar më 6 nëntori, prandaj një qind herë të bëjë referendum Berisha, njëqind herë do t’i përgjigjemi jo!”Këtë kuptoi më në fund edhe Selami dhe grupi moderator në PD, por për shkak të vonesës dhe mungesës së kurajës, këta mund të realizojnë një transformim të tillë cilësor të partisë në pushtet vetëm me kalimin e saj të afërm në opozitë. Akoma më i rëndësishëm është fakti që këtë epërsi të opozitës parlamentare në Shqipëri, e kuptuan përfundimisht dhe e mbështesin, tashmë pa ekuivokë. Këshilli i Evropës, Parlamenti Evropian dhe kryeqytetet kryesore perëndimore që asistojnë tranzicionin demokratik në Shqipëri. Dhe kjo ka rëndësi të dorës së parë për të ardhmen.
M. Leka: Pas 6 nëntorit, në spektrin politik shqiptar kanë nisur lëvizje të ndjeshme, ndarje dhe rigrupime forcash, prishje koalicionesh dhe kristalizim aleancash të reja, të cilat vazhdojnë të përcillen me interes, por edhe me paragjykime e ngarkesa emocionale. Si e shikoni ju këtë tablo “nga katakombet e Bënçës”?
F. Nano: Pikëvështrimi “nga burgu”?! Keni të drejtë. Duhet vlerësuar si instrument i nevojshëm i realizmit politik në Shqipëri përderisa burgosja dhe persekutimi i kundërshtarëve politikë mbetet, si dje, dhe sot, një konstante e politikës shqiptare. Është e vërtetë që ndryshimet dhe këto që po ndodhin po shoqërohen edhe me ngarkesa të theksuara emocionale e paragjykime, të cilat mund ta frenojnë emancipimin politik të shoqërisë sonë, nëse qendra e gravitacionit të saj nuk zhvendoset nga e kaluara në të ardhmen. Dhe kjo kërkon përsëri që forcat kryesore dhe vetë elektorati të orientohen nga vendosja e raporteve funksionale politike-qeverisje, që zhbllokojnë impaset dhe krizën e derisotme. Kriza e qeverisjes në Shqipëri, në mënyrë evidente, buron nga e kaluara, nga deformimet e rënda që i solli shoqërisë sonë sistemi totalitar komunist. Nën egjidën e Berishës, Arbnorit “njerëzve të naftalinës”, ka mbetur ora në periudhën e Luftës së Dytë Botërore dhe luftës së ftohtë, kjo krizë vazhdon të ushqehet nga e kaluara, nga antikomunizmi. Kjo “atu” e regjimit të sotëm, fatkeqësisht është rimarrë nga formacionet e reja të së djathtës e cila po arrin të modernizohet në Shqipëri, është konsumuar tashmë edhe në vendet e tjera ish komuniste dhe nuk ka të ardhme, ashtu si vetë komunizmi. Fillimisht, e djathta aktualisht nuk është e përgatitur për të qeverisur Shqipërinë. E ardhmja nuk mund të ndërtohet mbi antivlera, por mbi vlera që ripërtërihen ose krijohen duke e integruar ekuilibrin e kombit shqiptar në familjen e kombeve të qytetëruara dhe jo duke rrënuar bazat e ekzistencës së tij materiale e shpirtërore. Është kjo arsyeja që elektorati dhe institucionet ndërkombëtare tashmë mbështesin ato forca dhe grupime politike që po tregohen të afta për të kapërcyer krizën e qeverisjes, që po e kthejnë legjitimitetin parlamentarizmit dhe institucioneve e shtetit të së drejtës. Reformat e ekonomisë së tregut nuk mund të dalin nga impasi dhe konfliktualiteti që kanë sjellë amatorizmi klientelizmi dhe korrupsioni i regjimit të Berishës, në qoftë se nuk krijohen raporte dhe shanse të reja përmirësimi dhe punësimi privat e publik për shumicën, pa qenë nevojë të restaurohet sistemi i pronës feudale të paraluftës. Në kushtet e Shqipërisë, me infrastrukturat ekonomike më të pazhvilluara në të gjithë Evropën Lindore, ky tranzicion mund të arrihet me më pak dhimbje kryesisht mbi bazën e programeve social demokrate e liberal demokrate të opozitës progresiste. Prandaj, edhe në kushtet e mungesës së aleancave paraelektorale, kohezioni dhe bashkëpunimi politik i forcave të opozitës progresiste (PS, PSD, PAD, PBDNJ etj.) për të kapërcyer krizën kushtetuese dhe për të zhvilluar reformat, mendoj se përbën formulën politike më të përshtatshme për tranzicionin shqiptar.
M. Leka: Kush mendoni se ka më shumë nevojë për koalicionet, PS apo të tjerët?
F. Nano: Çdo paragjykim se kush ka më shumë nevojë dhe për kë, i dëmton të gjithë, sepse mbyt “foshnjën”e porsalindur të bashkëpunimit për kapërcimin e krizës së qeverisjes.
M. Leka: Por, zoti Pëllumbi nuk e ka përjashtuar as bashkëpunimin PS-PD për të ardhmen?
F.Nano: Natyrisht, por këtë e përjashton vetë Partia Demokratike e sotme, që duke mbetur një “stan lepujsh” dhe bashkëfajtorë të Berishës, është e paaftë të modernizohet. Shikoni sa paradoksale dhe irracionale është gjendja në PD. Nën tutelën e Berishës gjithë energjitë e kësaj partie po konsumohen për të fshehur korrupsionin, për të goditur kundërshtarët me metoda staliniste dhe për të diskutuar pambarim si të shkelet ligji duke mënjanuar parlamentin nga diskutimi i kushtetutës. Për shkeljen e ligjeve kushtetuese me duart e të tjerëve, tani Berisha thërret edhe një konferencë të jashtëzakonshme të PD! PD e sotme nuk është e aftë as të bëjë dialog e diskutim për ndryshimin e ligjeve që mund t’i përshtaten “oreksit” të saj për pushtet! Kjo gjendje mund të ndryshojë vetëm me kalimin e saj në opozitë, ku PD s’ka patur kohë të qëndrojë, prandaj deri më sot ka dështuar edhe si opozitë e parë, edhe në qeverisje. Tani e di edhe bufi që “mania”e dështimit quhet Berisha! Kjo ndodh sepse Berisha është qepur pas pushtetit “si këpushat në trupin e qenieve të gjalla” dhe ashtu siç ka bërë me të gjitha institucionet, kërkon të përdorë edhe Kushtetutën si korac për të mos zbritur nga froni as më 1997. Kjo do të thotë që ai do të përpiqet jo vetëm ta lërë Shqipërinë pa kushtetutë edhe për dy vjet të tjera, por të shfrytëzojë mungesën e saj dhe kompetencat e sotme të Presidentit për të nxitur kriza të reja qeverisje edhe kur pushtetin ta marrë opozita e sotme. Por opozita duket se e ka parashikuar dhe do ta shmangë këtë perspektivë duke i kërkuar Berishës të përgjigjet publikisht për ato që ka bërë dhe jo për ato që s’ka bërë (siç vepron ai me kundërshtarët), duke i dhënë fund pushtetit të tij të hipotekuar.
M. Leka: Kur mendoni se do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare dhe cili do të jetë rezultati i tyre sipas jush?
F.Nano: Unë mendoj se kjo çështje del e qartë nga sa parashtrova më sipër. Sidoqoftë theksoj se, me thirrjen e konferencës së jashtëzakonshme të PD më 5 mars të këtij viti, Berisha duket se e ka kuptuar që sa më vonë të bëhen zgjedhjet, aq më pak vota do të marrë lista e tij elektorale. Prandaj ai po vepron praktikisht për zhvillimin e tyre brenda vjeshtës, që të fitojë kohën e mjaftueshme për të futur sërish në krizë pushtetin e opozitës pas zgjedhjeve deri në pranverën e vitit 1997, kur do të diskutohet mandati i tij presidencial. Ndërkaq, ne socialistët i kemi programuar kundërveprimit tona ligjore, prandaj do të hyjmë në zgjedhje për të siguruar të paktën një votë në çdo dy votues. Dhe publiku është njohur me saktësinë e parashikimeve tona elektorale qysh më 26 korrik 1992.
M. Leka: Po ju, zoti Nano, nga burgu do ta ndiqni fushatën elektorale që duket se ka filluar?
F. Nano: Nuk më shqetëson fakti se ku do ta ndjek fushatën elektorale. Berisha synon të më nxjerrë përdhunisht nga skena politike! Duke qenë në burg, nuk mund të kandidohem si deputet, por askush nuk më heq dot të drejtën për të qenë në një skalion me shumë intelektualë e politikanë të tjerë që luftojnë për ndërtimin e demokracisë së vërtetë.
M. Leka: Kërkesave të vazhdueshme për lirimin tuaj nga burgu kohët e fundit u janë shtuar edhe zëra të tjerë autoritarë si Ismail Kadare, Rexhep Qosja (në mënyrë të përsëritur) etj. por edhe forume prestigjioze si Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Human Rights, Helsinki Watch (USA), Parlamenti Evropian etj., pa harruar këmbënguljen gjithnjë më të qartë të Unionit Ndërparlamentar delegacioni i të cilit ju vizitoi në qelinë tuaj. Si i vlerësoni këto mesazhe?
F. Nano: Shfrytëzoj rastin të shfaq sërish mirënjohjen time të thellë për këto shprehje solidariteti, që të gjitha me përmbajtje të qartë politike. Këto mesazhe qytetëruese i bëjnë nder Shqipërisë dhe kërkojnë optimizëm për të ardhmen e saj demokratike. Do të veçoja këtu mesazhin kuptimplotë që më shprehu znj. Jossi Meyer në përfundim të takimit me mua në qelinë time: Kurajë, zoti Nano! Më lejoni t’ju rekomandoj të rilexoni “Çështjen Dreifus”! Ishte një mesazh njëherësh dramatik dhe fisnik, midis dy njerëzish që njiheshin deri atëherë vetëm nga letrat, por që marrëzinë pushtetore e njihnin mirë.
M. Leka: Le ta ndryshojmë pak temën e bisedës. Autoritetet e Shkupit, për të ndaluar çeljen e Universitetit Shqiptar të Tetovës, kanë përdorur dhunën ndaj popullsisë civile, duke vrarë një djalosh shqiptar e plagosur e burgosur shumë të tjerë. Kjo ndodh pikërisht një ditë pasi Presidenti Berisha ka përshëndetur homologun Grigorov për hapjen e Universitetit. Haraç i cilës politikë janë këta kurbanë, gjithnjë shqiptarë?
… Në këtë çast hapet dera dhe polici i shërbimit njofton: “Zotërinj koha e takimit mbaroi. Ju lutem ndahuni.”
F. Nano: Martin, më vjen keq që jemi të detyruar ta ndërpresim bisedën në këtë pikë të rëndësishme të çështjes sonë kombëtare e cila, me politikën e hipotekuar dhe klientalizmin e Berishës, ka mbetur në “pikën e vdekjes”. Ndërkaq formulimi i pyetjes suaj përmban edhe përgjigjen. Sidoqoftë, duke iu shprehur dhimbjen dhe solidaritetin tim gjithë “kurbanëve”shqiptarë, të braktisur nga regjimi i Berishës, le të shpresojmë se do të rishihemi së shpejti.

SHKARKO APP