”Masakër shtetërore në Klos”, PD: Policia ka qenë në dijeni të konfliktit
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, në një deklaratë për mediat folir për tragjedinë me 3 viktima në Klos, ku tha se Besnik Mjeshtri, njëri prej bashkëpunëtoreve të vrasjes së Kenadro dhe Ilir Shirës, është punonjës i Policisë Bashkiake të Klosit dhe se policia ka qenë në dijeni të konfliktit dhe nuk e ka parandaluar.
”Policia ka qenë në dijeni të konfliktit dhe siç duket qartë nuk ka marrë masë për parandalimin. Kjo është një ditë e zezë për familjen që ka humbur njerëzit e dashur dhe një goditje e rëndë për mbarë komunitetin e Klosit dhe gjithë shoqërinë.
Është një goditje për çdo shqiptar kur e merr vesh se arma që shteti i jep punonjësit për mbrojtjen e qytetarëve, del nga brezi për t’i vrarë ata. Është një goditje kur familjet me lidhjet me partinë-shtet, siç është rasti i Klosit bëjnë akte kamikazë në mes të vendit, duke e ditur veten të paprekshëm.
PD-ja denoncon masakrën shtetërore dhe bën me dije se rendi dhe siguria e qytetarëve do te ekzistojë ne këtë vend kur policia e shtetit të pushojë së qeni trupë politike e orientuar nga pushteti. Fakti që autori i vrasjes është polic bashkiak e bën shtetin dy herë fajtor. Vetëgjyqësia është bërë modë në shtetin e Edi Ramës sepse policia nuk kryen detyrën, nuk e njeh komunitetin dhe problematikat e tij, nuk kontrollon territorin, nuk veprojnë si profesionistë, dhe i braktisin qytetarët në duart e vetëgjyqësisë”.