Masakra ndaj shqiptarit, komshiu në Lezhë ndali muzikën e dasmës
Dita e djeshme ka qenë dhimbje jo vetëm për familjen Marnikolli në Lezhë.
Deputeti i zonës, Gjovalin Kadeli, në një opinion të publikuar sot në “Panorama” shkruan se Nikolin Pershpali, i cili dje kishte ditën më të rëndësishme të jetës tij, martohej dhe kishte dasmë, por e ndaloi muzikën në momentin që mori lajmin e humbjes së komshiut të tij.
“Një ditë e trishtuar sot për familjen Marnikolli në Lezhë, por jo vetëm. Trishtim për mbarë shoqërinë tonë të brishtë. Një djalë fare i ri në moshë, i cili një gabim moshe e pagoi me jetën e tij.
Sot i dhanë lamtumirën Pëllumbit, mes lotëve në këtë ditë të vështirë për familjen Marnikolli, por edhe për të afërmit e tij, komshinjtë e tij, për Nikolin Pershpalin, i cili dje kishte ditën më të rëndësishme të jetës tij, martohej dhe kishte dasmë, por e ndaloi muzikën në momentin që mori lajmin e humbjes së komshiut të tij.
Gjon Pershpali, babai i dhëndrit, një burrë fisnik, u kërkoi falje dasmorëve se nuk ua plotësonte atë çfarë ka primare një dasmë, muzikën, pikërisht në respekt e për t’i lehtësuar dhimbjen familjes Marnikolli. Meriton vlerësim një familje e tillë, e cila demonstron se tradita e burrëria bashkohen bashkë me dhimbjen e komshiut, duke e ndjerë në shpirt.
E humbja e jetës së një djali të ri, i cili sapo kishte nisur jetën, ka ardhur për dy arsye:
– Racizmit dhe ksenofobisë greke e demonstruar vazhdimisht ndër vite ndaj fqinjëve të tyre.
– Pafuqia dhe mungesa e dinjitetit të shtetit shqiptar për t’u dalë zot qytetarëve të tij. Rasti i Pëllumbit, që jeta iu këput në mes nga dora e racizmit, dëshmon shumë qartë se vazhdojmë të jemi të pambrojtur nga shteti ynë, që reciprocitetin e kemi të pamundur ta vendosim në kufijtë e duhur.
E si të mos ndjejmë dhimbje e keqardhje kur një qytetar dhunohet deri në vdekje vetëm për shkakun se është shqiptar, duke ditur së është jashtë inventarit të shtetit? A do guxonin grekët t’ia bënin këtë një qytetari turk?!
A do guxonin grekët t’ia bënin këtë një qytetari të kujtdo shteti në Ballkan?! Kurrën e kurrës. Por na e bëjnë ne, shqiptarëve të braktisur nga shteti ynë, i cili preferon të buzëqeshë e shtrëngojë duart me homologët grekë dhe të pranojë rëndom pothuajse të gjitha propozimet e tyre për gjithçka. Deri kur???
A ka një kufi ky racizëm i pashoq? Nuk po flas këtu për diskriminim nëpër kufij, por për jetën që nuk ka të drejtë ta marrë askush. Më vjen keq sa poshtë kemi renë për faj të politikave të mbrapshta ndër vite dhe sot, kur ekspertiza dëshmon qartë se shkaku i vdekjes ka qenë tortura ndaj këtij djaloshi, familja Marnikolli kërkon drejtësi nga shteti i tij, të cilin e mban në këmbë me taksat dhe djersen e tyre.
Dhimbja e madhe mund të lehtësohet kur drejtësia të vihet në vend dhe dora gjakatare të ndëshkohet”, shkruan Kadeli.
KOHA JONË SONDAZH

