Masakra në Velipojë/ Arrestohen dy të plagosurit, shpallen në kërkim tre vëllezër
19 orë pas masakrës në Velipojë me 4 të vrarë, Policia e Shtetit ka bërë me dije se ka vënë në pranga dy persona që janë të plagosurit e ngjarjes, si edhe janë shpallur në kërkim tre vëllezërit. Abedin Verracaku 30-vjeç, Shyqyri Verracaku 26-vjeç dhe Besar Verracaku 20-vjeç, 3 djemtë e të plagosurit që u arrestua, Hasan Ferracaku. 3 vëllezërit janë të dyshuar si bashkautorë në këtë ngjarje, për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, në bashkëpunim.
“H. V., 54 vjeç, lindur në fshatin Trush dhe banues në fshatin Pulaj, Velipojë, si dhe nipi i tij shtetasi E. D., 17 vjeç, lindur e banues në fshatin Guri i Zi, bashkia Shkodër, të cilët janë në Spitalin e Traumës në Tiranë, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, në bashkëpunim.
Gjithashtu janë shpallur në kërkim shtetasit A. V., Sh. V. dhe B. V., vëllezër, banues në fshatin Pulaj, Velipojë, bashkia Shkodër, të dyshuar si bashkautorë në këtë ngjarje, për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, në bashkëpunim.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy armë zjarri pistoleta, njëra prej të cilave u gjet në vendngjarje, ndërsa tjetra u gjet gjatë kontrollit në hotelin e familjes Gocaj. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në konfliktin me armë. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme”.