Masat anti-COVID, policia: Gjobiten 1231 qytetarë gjatë fundjavës
Vijojnë kontrollet për zbatimin e masave anti-COVID. Policia njofton se gjatë fundjavës janë ndëshkuar me gjobë 1231 qytetarë që nuk kanë zbatuar masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Autoritetet njoftojnë se në të gjithë vendin, janë ndëshkuar me gjobë 3.000 lekë secili, 1227 qytetarë që janë konstatuar duke lëvizur pa maskat mbrojtëse. Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 12 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit. Pasi janë identifikuar ata janë gjobitur me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.
Ndërkohë uniformat blu njoftojnë se është konstatuar 1 subjekt që ushtronte aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë anti-COVID. Për administratorin e këtij subjekti është gjoba 1.000.000 lekë.
Gjithashtu, efektivët kanë ndëshkuar me gjobë 10.000, 3 qytetarë që lëviznin në rrugë gjatë orarit të ndaluar të lëvizjes, pa arsye të domosdoshme..