Masat anti-COVID, policia: Gjobiten 500 qytetarë në 24 orët e fundit
Autoritetet vijojnë monitorimin e masave antiCOVID. Policia e Shtetit informon se gjatë 24 orëve të fundit janë ndëshkuar me gjobë 500 qytetarë që nuk kanë zbatuar masat e marra nga qeveria për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Si rezultat i kontrolleve, në të gjithë vendin, efektivët e policisë kanë gjobitur me 3.000 lekë, 489 qytetarë që janë konstatuar duke lëvizur pa maskat mbrojtëse.
Ndërsa, janë shoqëruar në ambientet e komisariateve në të gjithë vendin, 6 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit. Pasi janë identifikuar ata janë gjobitur me 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, shërbimet e Policisë kanë evidentuar 3 lokale që ushtronin aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë antiCOVID. Për administratorin e secilit subjekt është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë.
Gjithashtu, gjatë kontrolleve janë konstatuar 8 qytetarë që lëviznin në rrugë gjatë orarit të ndaluar të lëvizjes, pa arsye të domosdoshme, të cilët janë ndëshkuar me gjobë 10.000 lekë secili.