Mashtrimi për azil në BE, qytetarë dynden tek kompanitë e udhëtimeve

Gjatë ditëve të fundit ka një dyndje të shqiptarëve për të kërkuar azil në vendet e Bashkimit Europian. Sot është regjistruar një fenomen i paprecedente. Në fshatrat e Vlorës, të Fierit, Elbasanit e Gramshit, por dhe në disa zona të tjera prej ditësh është përhapur një informacion se agjenci transporti organizojnë udhëtime për në Gjermani me synim marrjen e statusit të azilantit. Sipas të dhënave, mashtrimi duket se ka patur efekt sepse janë me qindra persona që kanë prerë biletat deri në 150 euro për të udhëtuar me autobus për në Mynih.

Këtë të enjte në portin e Vlorës ka pasur një dyndje të pazakontë të udhëtarëve që kanë prerë bileta për të udhëtuar në Gjermani. Ndërkohë që ka informacione se e njëjta gjë po ndodh edhe në Fier. Pjesa dërrmuese e udhëtarëve vijnë nga zonat rurale të qarkut të Vlorës dhe Fierit. Ata tregojnë jashtë kameras se me shpejtësi kanë siguruar paratë e nevojshme për udhëtimin edhe duke shitur sende të ndryshme. Ende nuk ka ndonjë informacion për persona të ndaluar mes grupeve që kanë organizuar këtë mashtrim me qëllim të pastër përfitimin ekonomik.

Për të shmangur çdo keqkuptim, Ministria e Brendshme ka shpërndarë në mesditë një informacion ku jep detaje me shtimin e kontrolleve në pikat kufitare. “Ministria e Punëve të Brendshme përfiton nga rasti për t’u kujtuar të gjitha shtetasve shqiptarë se çdo përpjekje për të kërkuar azil në vendet e BE në mënyrë abuzive është e absolutisht e papranueshme, pasi tashmë Shqipëria konsiderohet si një vend i sigurt dhe vendet e BE nuk i miratojnë kërkesat e këtij lloji. Nga ana tjetër, Policia e Shtetit po ndërmerr hetime ndaj çdo personi, shoqërie udhëtimi ose kompanie tregtare që organizon ose ndërmjetëson për udhëtimin e qytetarëve për qëllime të azilkërkimit dhe shkeljes së rregullave të lëvizjes së lirë në vendet e BE”,- thuhet në njoftimin e policisë.

Gjithashtu, Ministria e Punëve të Brendshme ka paralajmëruar të gjithë qytetarët se do të ketë kontrolle të shtuara në kufi, për të mos lejuar kalimin e asnjë personi i cili nuk do të përmbushë kriteret ligjore për lëvizjen e lirë në hapësirën Shengen.  Bëhet e ditur se nuk do të tolerohet asnjë rast të abuzimit me të drejtën për të lëvizur lirshëm në vendet e Bashkimit Europian dhe me qëllimin e paligjshëm për të kërkuar azil në këto vende. Të gjithë qytetarët që nuk do të përmbushin kriteret e kërkuara nga ligji nuk do të lejohen të dalin nga kufiri i vendit.

 

SHKARKO APP