Mazniku: “Reforma administrative e jashtëzakonshme”. Agron Haxhimihali: “Qytetarët nuk janë komodë me këtë reformë territoriale dhe administrative”
Në Shqipëri, edhe sot dhjetë vjet pas reformës administrative territoriale ende vazhdojnë vlerësimet kontradiktore për rezultatet e saj.
Zyrtarët pohuan në një takim se reformimi i pushtetit vendor është një histori suksesi, por studiues të pavarur theksojnë se kjo reformë nuk i arriti qëllimet kryesore, administrata dhe shpenzimet u shtuan më tej, ndërsa shërbimet ndaj komunitetit u vështirësuan.
Gjatë një takimi me donatorë ndërkombëtarë për të vlerësuar reformimin dhjetëvjeçar të qeverisjes vendore, ministri i shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, theksoi se reforma administrative ishte një punë e jashtëzakonshme e kryer me sukses me bashkimin e dhjetëra njësive vendore në 61 bashki dhe menaxhimin e integruara të jetës komunitare në njësi më të mëdha.
“Reforma administrative e vitit 2014 ishte një nga reformat më shtetformuese jo thjesht në raport me pushtetin vendor, por në raport me gjithë mënyrën se si funksionon shteti shqiptar, se si ne kemi mundësi si një bashkësi njerëzish, t’u ofrojmë shërbime të qenësishme qytetarëve tanë. Konceptimi i saj ka qenë një ushtrim shumë kompleks”, tha zoti Mazniku.
Por studiues të pavarur janë kritikë për mënyrën se si u realizua reforma administrative, qëllimet fillestare të saj dhe rezultatet përfundimtare të saj. Eksperti Agron Haxhimihali, drejtuesi i Institutit të Bashkive të Shqipërisë, Agron Haxhimihali, i cili studion funksionimin e pushtetit vendor, thotë për Zërin e Amerikës se reforma nuk i përmbushi qëllimet për të cilat ajo nisi, sepse pati shumë pabarazi në shërbimet midis zonave urbane dhe rurale, si dhe përfaqësimin komunitar në pushtetin vendor, bashkitë u zmadhuan por nuk kanë zhvillim të qëndrueshëm, ndërsa shërbimet publike lënë shumë për të dëshiruar.
“Qytetarët nuk janë komodë me këtë reformë territoriale dhe administrative. Treguesi kryesor për këtë është fakti që mjaft qytetarë, kryesisht nga zonat rurale, edhe në 59 bashki të tjera të Shqipërisë, përjashtuar Tiranë dhe Durrësin, qytetarët po i braktisin zonat rurale dhe qytetarët, sepse nuk marrin shërbimet në sasi dhe në cilësi”, thotë zoti Haxhimihali.
Reformimi i pushtetit vendor, sipas ministrit Mazniku, ka qenë një punë e vështirë dhe e përditshme, e cila bëri të funksionojnë 61 bashki në mënyrë të qëndrueshme dhe sistematike, falë digjitalizimit të shërbimeve.
Ai shtoi se bashkitë kanë nevojë për vëmendje më të madhe, investime, ligje dhe reforma të mëtejshme, si mekanizma themelorë të bashkëjetesës në komunitet, sepse edhe sfidat janë gjithnjë e më të mëdha në përshtatjen e vendit me standartet e integrimit europian.
“Unë besoj se janë hedhur themele shumë të shëndetshme, që përveç elementëve të mëdha dhe të rëndësishme, që janë bërë gjatë këtij projekti në kohë, janë edhe elemente të qenësishëm të asaj që mund të jenë farat e një vijimësie të një seri reformash të tjera të rëndësishme që pushteti vendor ka nevojë për mënyrën se si funksionojnë bashkitë tona”, tha zoti Mazniku.
Por nga ana tjetër zoti Haxhimihali thekson për Zërin e Amerikës se efikasiteti i pushtetit vendor u zbeh pas bashkimit të dhjetëra njësive vendore në 61 bashki, kompetencat e pushtetit vendor janë pakësuar sa i takon planifikimit të territorit për zhvillim, bujqësi dhe turizëm, ndërsa qeveria qendrore krahas përqëndrimit të kompetencave, ka mbuluar edhe borxhet e bashkive.
Ai shtoi se vetëm 23 për qind e fondeve të pushtetit vendor shkojnë për investime, pjesa më e madhe e tyre shkojnë për paga dhe shpenzime administrative, ndërsa shkurtimet e premtuara në shpenzime dhe në administratë nuk u kryen, përkundrazi numrat e punonjësve u rritën dukshëm.
“Po iu jap vetëm një fakt: Para reformës territoriale kishim 373 njësi të qeverisjes vendore, të cilat vërtet ishin shumë reforma duhej bërë. Këto institucione kishin rreth 20-21 mijë punonjës. Ndërsa sot pas reformës kemi 61 bashki, që kanë 37 mijë punonjës, të cilët paguhen nga taksapaguesit shqiptarë”, thotë zoti Haxhimihali.
Reformimi i pushtetit vendor u mbështet gjatë një dekade nga një seri donatorësh ndërkombëtarë, USAID-i, BE-ja dhe UNDP-ja, Suedia, Zvicra, Italia, një përpjekje për të gjallëruar strukturat administrative dhe territoriale të Shqipërisë, përmes projektit STAR, që mbështeti reformën, për një qeverisje vendore efikase dhe me integritet, që t’u shërbejë më mirë qytetarëve.
Projekti synoi po ashtu forcimin e transparencës dhe llogaridhënies së qeverisjes vendore, praktikat e pjesëmarrjes, qeverisjen vendore dhe politikëbërjen e decentralizimit./VOA/