Mbërrin në Shqipëri marinari i marrë peng. Policia: U kthye vetë
Është rikthyer në Shqipëri nga Egjipti, marinari i peshkarexhës “Çelepia 2”, Luan Mema i cili ishte marrë peng nga një shtetas egjiptian. Me mbërritjen në aeroportin e Rinasit, ai është ndaluar nga autoritetet e policisë dhe është shoqëruar në komisariat. Mema ishte në bordin e peshkarexhës shqiptare që ishte marrë peng nga marinari egjiptian Adel Salam.
Mema deklaroi se u kthye vet nga Egjipti, ndërsa nuk janë shumë të qarta rrethanat si ka mundësi, pasi ai po mbahej nga policia egjiptiane për t’u marrë në pyetje në lidhje me pengmarrjen e anijes.
Policia Kufitare e Rinasit ia dërgoi Policisë së Durrësit marinarin shqiptar, pasi hetimet për peshkarexhën “Çelepia 2” nisën nga blutë e qytetit bregdetar. Luan Mema ishte njëri ndër pengjet e egjiptianit Adel Salam dhe u gjet në bordin e peshkarexhës në gjendje të mirë.
Nuk dihet ende si ka mundësi që ai u kthye vet nga Egjipti, kur ndërkohë po kryheshin veprimet hetimore në atë shtet rreth situatës së pengmarrjes. Gjithashtu, ambasada jonë në Egjipt kishte marrë përsipër që të kujdesej për marinarin shqiptar dhe që më pas do të siguronte kthimin e tij në Shqipëri.
KOHA JONË SONDAZH

