Mbështeti studentët shqiptarë në Shkup, ministri Hoxha gati të largojë Meidanin nga posti i ambasadorit
Denion Meidani nuk do të vijojë më detyrën si ambasador i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut. Sipas ”A2cnn”, diplomati shqiptar pritet të mbyllë përpara afatit mandatin e tij në Shkup, në një lëvizje që po komentohet gjerësisht në qarqet politike dhe diplomatike në të dy vendet. Largimi i Meidanit lidhet me pakënaqësitë dhe ankesat e shprehura nga koalicioni shqiptar VLEN, por edhe nga partia maqedonase VMRO-DPMNE. Qëndrimet publike të ambasadorit shqiptar në debatet politike të zhvilluara së fundmi në Maqedoninë e Veriut janë konsideruar problematike nga faktorë të caktuar politikë në Shkup.
Diskutimet më të forta kanë pasur lidhje me çështjet që prekin komunitetin shqiptar në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht debatet mbi përdorimin dhe statusin e gjuhës shqipe. Qëndrimet e Meidanit në këto tema thuhet se kanë krijuar tensione dhe reagime politike, duke shtuar presionin për largimin e tij nga posti diplomatik. Megjithatë, deri tani nuk ka një reagim apo konfirmim zyrtar nga institucionet shqiptare ose maqedonase lidhur me arsyet konkrete të përfundimit të mandatit të tij në Shkup. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në Tiranë nuk ka bërë ende një deklaratë publike mbi këtë zhvillim.
Po flitet se Denion Meidani mund të emërohet ambasador i Shqipërisë në Kosovë. Edhe pse ky skenar përmendet si një mundësi e afërt, deri më tani nuk ka një vendim apo njoftim zyrtar për një transferim të tillë. Pak orë më parë, vetë ambasadori Mediani reagoi për protestën që u mbaj të hënën në Shkup, ku e konsideron kërkesën e studentëve për të studiuar dhe ushtruar profesionin në gjuhën amtare një e drejtë themelore dhe jo kërcënim për qeverinë apo shtetin atje.
”Kur studentë ndalohen, vonohen dhe intimidohen teksa udhëtojnë për të shprehur paqësisht solidaritet për një të drejtë gjuhësore, çështja pushon së qeni vetëm procedurale. Ajo prek vetë mirëkuptimin demokratik dhe frymën europiane që synojmë të ndërtojmë si rajon. Studentët shqiptarë nga Tirana udhëtuan drejt Republikës së Maqedonisë së Veriut jo për përplasje, por për solidaritet qytetar dhe për të mbështetur një kërkesë elementare: të drejtën për t’u testuar dhe për të ushtruar profesionin në gjuhën amtare.
Këta të rinj nuk kërkojnë privilegje. Kërkojnë dinjitet, barazi dhe respekt për të drejtat themelore. Dhe një kërkesë për dinjitet nuk duhet të perceptohet kurrë si kërcënim, sidomos në vende që synojnë t’i bashkohen familjes europiane dhe të ndërtojnë të ardhmen mbi vlerat e demokracisë, barazisë dhe të drejtave themelore”, shkruan ambasadori.
KOHA JONË SONDAZH

