Mbi 200 shqiptarë kërkojnë të kthehen në Shqipëri por Italia nuk jep “OK”
Pas mbylljes së kufijve për shkak të koronavirusit shumë shqiptarë kanë mbetur jashtë terrritorit të vendit tonë, duke e patur të pamundur të rikthehen. Mbi 200 qytetarë ndodhen në qytetet italian të cilët i kërkojnë ndihmë autoriteteve shqiptare për t’u ktyher në atdhe, por ende pala italiane nuk ka dhënë “ok” për transportin e tyre.
Infektimi i mbarë botës nga coronavirusi ka lënë shumë shqiptarë jashtë territorit, të cilët e kanë të pamundur të kthehen për shkak të mbylljes së kufijve. Burime për Rtv Ora bëjnë me dije se mbi 200 persona kanë mbetur në qytetetet italiane që kërkojnë ndihmën e autoriteteve për tu kthyer në atdhe.
Shqipëria ka mbyllur kufijtë tokësore, detare dhe ajrorë për lëvizjen e njerëzve për të izoluar përhapjen e koronavirusit, ndërsa Italia fqinje është e gjitha në një zonë të kuqe.
Pavarësisht të gjitha tentativave të Task Forcës së ngritur në Ministrinë e Jashtme për të dialoguar me autoritetet italiane, ende nuk është arritur një dakordësi për të transportuara shqiptarët të cilët kanë mbetur në territorin fqinj.
Por në Itali nuk ka vetëm turistë apo shqiptarë që udhëtojnë për arsye mjekësore apo për të vizituar të afërm që jetojnë dhe punojnë në atë territor.
Sipas të dhënave zyrtare, rreth 600 mijë shqiptarë jetojnë në Itali, ku mbi 400 mijë janë rezidentë me dokumenta.
Rreth 90 mijë janë të lokalizuar në rajonin e Lombardisë, e cila ka numrin më të lartë të personave të infektuar me COVID-19 dhe numrin më të lartë të viktimave.
Mbi 60 mijë janë në Toskana dhe 57 në Emilia Romanja, ku po ashtu ka një numër të lartë të të infektuarve me koronavirus.
Jo vetëm në Itali, por edhe në shtetet e tjera ka ende shumë qytetarë që kërkojnë të kthehen në vend por për shkak të masave drastike të sigurisë ato nuk i japin “ok” Shqipërisë që të tërheqë shtetasit e saj./oranews/