Mbi 21 mijë shqiptarë, morën vjet shtetësinë italiane

 

Vetëm gjatë vitit të shkuar, kanë marrë shtetësinë italiane rreth 130 mijë të huaj, 29% më shumë se një vit më parë. Për komunitetin shqiptar, numri i personave që kanë marrë edhe shtetësinë italiane gjatë vitit të shkuar është 55% më lartë se ai i vitit 2013 kur shtetasit shqiptarë që u betuar para trengjyrëshit ishin 13.671. 21.148 shqiptarë kanë marrë shtetësinë italiane gjatë vitit të shkuar.

Këto janë shifrat raportit të fundit të ISTAT-­it mbi jokomunitarët në Itali, që jep edhe të dhëna mbi marrjet e shtetësisë nga të huajt, raporton Shqiptari i Italisë.

Në përgjithësi, numri i të huajve që kanë marrë shtetësinë italiane gjatë vitit të shkuar janë 129.887, apo 29.175 më shumë se një vit më parë. Ndër këta, 8.887 janë shtetas komunitarë e 121 mijë të tjerët kanë pasur më parë shteetësi jokomunitare. Nga jokomunitarët, rreth 40% e italianëve të rinj të vitit 2014 janë marokenë e shqiptarë: në fakt sipas ISTAT­it, para se të merrnin shtetësinë italiane kishin atë marokene 22,3% e italianëve të rinj, ndërsa 16,4% kishin atë shqiptare. Për komunitetin shqiptar, numri i personave që kanë marrë edhe shtetësinë italiane gjatë vitit të shkuar është 21.148, ose 55% më shumë se gjatë vitit 2013 kur shtetasit shqiptarë që u betuar para trengjyrëshit ishin 13.671. Kjo e vitit 2014 është shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë këto 25 vjet, e duke konsideruar vjetërsinë e komunitetit tonë, këto shifra të shqiptarëve që do të bëhen italianë mund t’i gjejmë edhe për disa vjet rresht. Përsa i përket gjinisë, 52% e italo­-shqiptarëve të rinj janë meshkuj e 48% femra, gjë që pasqyron me besnikëri edhe përbërjen gjinore të komunitetit shqiptar në Itali. Përsa i përket motivit të marrjes së shtetësisë, rritet nga viti në vit, qoftë në përqindje qoftë në vlera absolute, numri i shqiptarëve që marrin shtetësinë italiane për rezidencë.

Në dy vitet e fundit është kaluar nga 7.055 (51,6%) të vitit 2013 në 12.040 (56,9%) të vitit 2014. Janë gjithnjë e më të shumtë të miturit apo të rinjtë shqiptarë që marrin shtetësinë prej prindërve apo kur mbushin moshën 18 vjeç sepse kanë lindur në Itali. Shifrat e tyre kanë shkuar nga 4.367 persona (31,9%) të vitit 2013 në 7.111 (33,6%) në vitin 2014. Së fundi bie marrja e shtetësisë për martesë me shtetas italian: kalohet nga 2.249 (16,5% e të gjitha dekreteve të njohjes së shtetësisë italiane për shqiptarë) të vitit 2013, në 1.997 (ose 9,4%) gjatë vitit të shkuar.

Së fundi, duhet thënë që edhe pse për të parën herë në këto 25 vjet imigracioni shqiptar në Itali, ISTAT thotë se numri i tyre ka rënë nga 502.546 të 1 janarit 2013 në 498.419 më 1 janar 2015, kjo nuk do të thotë që komuniteti ynë është zvogëluar. Është e vërtetë që vitet e fundit janë reduktuar ardhjet e reja e janë shtuar kthimet, por nga ana tjetër rritet ndjeshëm numri i atyre që nuk bëjnë më pjesë mes të huajve në Itali sepse marrin ndërkohë shtetësinë italiane. Në fakt, gjithnjë sipas shifrave që ISTAT ka dhënë në vite, komuniteti ynë po i afrohet 580 mijë vetëve. Sepse janë rreth 80 mijë ata që në vite kanë fituar edhe shtetësinë italiane. 

SHKARKO APP