Mblidhet Komiteti i Energjisë, ministrja Balluku: Fierza nuk arriti ”pikën e vdekjes”
Në mbledhjen e Komitetit të Energjisë, ministrja e Infrastrukturës dhe e Energjisë, Belinda Balluku ka hedhur poshtë zërat që niveli i ujit në Fierzë kishte arritur ”pikën e vdekjes”. Balluku tha edhe se pavarësisht kësaj, nuk do të ketë ndërprerje të energjisë.
“Kemi dëgjuar për pikën e vdekjes së Fierzës, por ju e keni thënë që nuk ka një pikë vdekje dhe ne ishim lart nga kjo pikë që flitet mbi 240 metra. Nuk do ketë ndërprerje të energjisë elektrike, për bizneset e vogla dhe familjarët dhe në maj do kemi një tryezë me bizneset që janë lidhur me tensionin e mesëm për të diskutuar çmimet që kemi vendosur për t’i mbrojtur ata”, tha Balluku.
Gjithashtu ministrja theksoi se Kaskada është menaxhuar mirë dhe tregues për këtë është fakti që nuk ka pasur një ndërprerje të energjisë apo rritje të çmimit. ”Ka pasur një përmirësim, një rritje të nivelit të liqenit të Fierzës, duke qenë ne kemi vendosur që të mos prodhohet në Fierzë, duke grumbulluar të gjitha ujërat, me shpresë që do kemi edhe në ditët në vazhdim reshje të tjera shiu dhe në Fier dhe Kaskadë, situata është e mirëmenaxhuar nga KESH”.