”Mbreti” i kokainës, GJKKO dy seanca brenda ditës për Dritan Rexhepin
Gjykata e Posaçme verifikoi masën e sigurisë ”arrest në burg” ndaj Dritan Rexhepit, si një nga të akuzuarit për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës janarin e vitit 2020. Pasi konfirmoi këtë masë, gjykata vijoi seancën tjetër publike, ku Rexhepi është i pandehur për krimin e para 4 viteve, ku dyshohet të jetë një nga porositësit e rrëmbimit. Në këtë proces me shtatë të pandehur, Rexhepi është i vetmi i arrestuar, pasi të tjerë janë në kërkim dhe po gjykohen në mungesë.
Para gjykatës Rexhepi konfirmoi gjenaralitetet dhe nuk shfaqi asnjë kundërshti mbi përbërjen e treshes gjykuese. “Jam shumë dakord”, tha ai teksa u pyet për të. Më pas seanca u ndërpre për shkak të mungesës së avokatit të njërit prej të pandehurve dhe u shty për më 24 janar. Gramoz Rexhepi, i njohur edhe me emrin Dritan, u ekstradua në Shqipëri pas më shumë se një viti nga arrestimi i tij në Stamboll, Turqi, vend ku ishte arratisur pasi lehtësoi një dënim me burg të marrë në Ekuador.
Përveç procesit aktual në Gjykatën e Posaçme, mbi shpatullat e tij rëndon një dënim fajësie me 25 vite burg për një vrasje të kryer në vitin 1998 dhe një dënim me 4 vjet burg për “falsifikim dokumentesh”, për marrjen e një pasaporte biometrike me identitet tjetër, teksa kërkohej nga drejtësia.