Mbrojtja Civile këshillon banorët e rrezikuar nga dëbora: Çfarë duhet të bëni para, gjatë dhe pas bllokimit nga reshjet
Edhe Mbrojtja Civile reagon lidhur me motin e keq që ka përfshirë gjithë vendin dhe që parashikohet të vazhdojë për disa ditë, ku temperaturat pritet të zbresin deri në minus 17 gradë celsius.
Në një postim të shpërndarë në faqen e Ministrisë së Mbrojtjes, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile jep disa këshilla për banorët e zonave ku parashikohen reshje bore dhe temperatura shumë të ulëta.
Postimi i plotë:
Çfarë duhet të bëjmë para bllokimit nga dëbora:
• Të sigurojmë ushqimin për familjen dhe kafshët shtëpiake të paktën për dy javë.
• Të sigurojmë nga ngrirja rrjetin e tubacioneve të ujit të pijshëm.
• Të sigurojmë mjetet e ngrohjes për të gjithë periudhën e dimrit.
• Të pastrojmë vazhdimisht çatitë e banesave nga shtresat e dëborës.
• Të sigurojmë veshje të trasha për fëmijët dhe të moshuarit.
• Të kemi një paketë të ndihmës së shpejtë për çdo rast emergjent.
• Të sigurojmë një aparat telefoni celular dhe një bateri për atë.
• Të kemi numrat e shërbimeve emergjente një nga telefonat e linjave celulare.
• Të sigurojmë një mjet ndriçimi me bateri, të pavarur nga rrjeti elektrik.
Çfarë duhet të bëjmë gjatë bllokimit nga dëbora:
• Të sigurojmë vazhdimisht ngrohje të banesës.
• Të sigurojmë ndriçim të pandërprerë në dhomën ku kemi të moshuar, fëmijë apo persona të sëmurë.
• Të vendosim kontakte me të afërmit dhe t’i ndihmoni në rast fatkeqësie.
• Të mbajmë të hapur rrugën në oborret brenda shtëpisë.
• Të kontrollojmë vazhdimisht kafshët shtëpiake dhe të sigurojmë ngrohjen për ambientet e tyre.
• Të jemi të informuar në çdo kohë për situatën dhe veprimet e ekipit të menaxhimit të emergjencës në bashkinë tonë.
• Të ndihmojmë ekipet e emergjencës kur kjo gjë të kërkohet nga drejtuesit e tyre dhe njësitë vendore.
Çfarë duhet të bëjmë pas bllokimit nga dëbora:
• Të pastrojmë çatitë e banesave nga dëbora.
• Të sigurojmë të afërmit nga rrëshqitja në dëborë.
• Të ndihmojmë në hapjen e rrugëve këmbësore dhe automobilistike.
• Të punojmë së bashku me komunitetin për të ndihmuar ekipet e emergjencës.
• Të krijojmë kushte për strehimin e ekipeve të emergjencës, kur kjo gjë kërkohet nga drejtuesit e tyre dhe të njësisë vendore.
• Të informojmë ekipet e emergjencës për familjet që kanë probleme në territorin e lagjes sonë.
• Të ndihmojmë të sëmurët dhe personat me aftësi të kufizuara.
• Të mos pengojmë veprimet e forcave të emergjencës në realizimin e objektivave të tyre për dhënien e ndihmës për komunitetin.