Mbrojtja e mjedisit, Peleshi: Do ndërhyjmë në Kodin Penal

Qeveria është e vendosur të forcojë kuadrin ligjor për mbrojtjen e mjedisit, duke ndërhyrë në kodin penal, deklaroi të martën zv/kryeministri Niko Peleshi, gjatë punimeve të konferencës “Moratoriumi dhe rruga drejt zhvillimit të qëndrueshëm”, e organizuar nga Ministria e Mjedisit, në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile dhe përfaqësues nga bota akademike.

Duke i konsideruar madhore problemet e pyjeve dhe të natyrës në Shqipëri, zv/kryeministri fajësoi politikën, por dhe shoqërinë civile për situatën mjedisore kritike.

“Vetëm në 10 vitet e fundit janë shfrytëzuar pa kriter 200 mijë hektarë pyje. Nëse do të ecim me këtë ritëm shoqëria jonë për 15 vitet e ardhshme do ju lërë trashëgim brezave që vijnë një vend të zhveshur. Kjo konferencë do të piketojë rrugën e re të kthesës për të dalë nga kjo gjendje. Duhet bashkëpunim mes politikës qendrore dhe asaj vendore, por dhe shoqërisë civile, për të adresuar çështjet e mjedisit, që politika nuk i zgjidh dot kollaj”, tha Peleshi.

Ai i konsideroi ‘të dështuara’ politikat mjedisore në këto 25 vjet, ku dhe shoqëria civile dhe akademikët, nuk gjetën forca t’i imponohen politikave vendimmarrëse. ‘Shumë ekspertë iu dorëzuan tregut duke firmosur raporte mjedisore që nuk i besonin as vetë. Në 25 vjet, 400 mijë ndërtime pa leje mbinë në trupin e Shqipërisë dhe sot një shi i dobët shkakton përmbytje”, tha zv/kryeministri.

Megjithë uljen e numrit të lejeve të dhëna për shfrytëzim, nga 2700 leje në vitet e mëparshme, në vetëm 24 në dy vitet e fundit, sërish kjo nuk mjafton pasi duhet një punë shumë e madhe për të rigjeneruar mjedisin. “Kësaj do t’i shërbejë dhe decentralizimi me 100 për qind i menazhimit të fondit pyjor nga ana e bashkive”, u shpreh Peleshi.

Kurse ministri i Mjedisit, Lefter Koka në fjalën e tij u kërkoi kryetarëve të bashkive që investimet në mjedis t’i programojnë përtej një mandati dhe që menaxhimi i pyjeve dhe mbetjeve duhet të jetë në prioritetin e përditshmërisë së tyre.

“Çfarëdo suksesi që mund të keni në punën tuaj me një mjedis të ndotur dhe me një zonë që ka erozion nuk besoj se do mund ta bëni qytetin tuaj atraktiv”, iu drejtua ministri Koka kryebashkiakëve të pranishëm në konferencë.

Ligji i ri i menaxhimit të pyjeve, që do të kalojë së shpejti në Kuvend, bashkë me moratoriumin janë dy asete të rëndësishme për mbrojtjen e mjedisit, vijoi ministri Koka, ndërsa shtoi se ligjet që bëjmë duhet të jenë të zbatueshme.

SHKARKO APP