Mbyllen hetimet për vrasjen e biznesmenëve Paulin Gjergji dhe Bujar Lika, dërgohen për gjykim 4 persona
Prokuroria e Kurbinit ka mbyllur hetimet për vrasjen e dy biznesmenëve Paulin Gjergji dhe Bujar Lika, ngjarje e ndodhur në muajin maj të vitit 2020-të brenda një lokali në autostradën Milot-Mamurras pranë fshatit Gjorm të Kurbinit.
Në lidhje me këtë krim të dyfishtë janë dërguar për gjykim katër të pandehur për akuzat e vrasjes në rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje.
Eduart Lamaj akuzohet në rolin e ekzekutorit, ndërsa miqtë e tij Ilir Lika (Xhepaj), Klaudio Përkolaj dhe Oltion Vlashi në rolin e ndihmësit.
Sipas prokurorisë motivet e ngjarjes mbeten të paqarta, por ka dyshime të forta se 4 autoret kanë patur si qëllim grabitjen e biznesmenit Paulin Gjergji, ngjarje që përfundoj më pas në përdorimin e armës, duke qenë se dhe Bujar Lika ka qenë i armatosur.
Sipas burimeve familjaret e 4 autoreve e kanë dënuar ngjarjen e rëndë dhe në emër të tyre babai i personit që ka qëlluar Eduart Lamaj i ka dërguar një masazh familjes së Bujar Likës, duke i kërkuar falje në emër të 3 familjeve.
Referuar dosjes hetimore babai i Lamajt ka thënë se gjakun e ke tek unë dhe mos e kërko në tjetër vend, por në përgjigjen e tij babai i Bujar Likës ka thënë se ajo fjalë nuk kishte vend në bazë të zakonit, pasi lajmin e kishin marrë vesh të gjithë.
Ndërkohë për dy mjeket Besim Lama dhe Viktor Marku që mjekuan në një klinike private Eduart Lamajn i cili mbeti i plagosur në ngjarje, dosja është veçuar dhe po vijon hetimi.
Në lidhje me vrasjen e dyfishtë janë në paraburgim Eduart Lamaj dhe Ilir Lika (Xhepaj), ndërsa Klaudio Përkola dhe Oltion Vlashi vijojnë të jenë në kërkim nga policia.
Ata dyshohet se janë larguar jashtë vendit pas ngjarjes, por nuk janë shpallur ende në kërkim ndërkombëtar.
/Ora News