Më 25 prill 2021 populli do të zbojë sektin e Rilindjes nga pushteti
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dekretuar dje datën e zgjedhjeve parlamentare. Kreu i shtetit ka caktuar të dielën e 25 prillit 2021, si ditën kur shqiptarët do të drejtohen te kutitë e votimit për të zgjedhur parlamentin dhe qeverinë e re. Dekretimi i datës së zgjedhjeve vjen pas konsultimeve të kreut të shtetit me të gjithë krerët e partive parlamentare. Partitë e opozitës kërkuan nga kreu i shtetit që data e zgjedhjeve të ishte 18 prilli. Ndërkohë Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama pretendonin që zgjedhjet të caktoheshin në fund të muajit maj. Presidenti ka vendosur një datë që nuk plotëson kërkesën e opozitës dhe as atë të qeverisë, por është brenda afatit kushtetues për dekretimin e datës së zgjedhjeve. Askush prej palëve nuk ka pasur rezerva për datën e përzgjedhur nga kreu i shtetit dhe në këtë mënyrë nga dje, ka rënë gongu për nisjen e garës elektorale. Pas rreth 7 muaj e gjysmë ose 230 ditësh qytetarët shqiptarë do të përcaktojnë se si do të jetë parlamenti i ardhshëm dhe kush do të jetë qeveria që do t’i drejtojë për katër vitet e ardhshme.
Sipas ligjit, fushata elektorale nis 30 ditë para datës së zgjedhjeve, por për krizën politike në të cilën ndodhet vendit, me dekretimin e datës vendi ka hyrë realisht në fushatë. Këto zgjedhje nuk do të jenë të zakonshme, si herët e tjera, për shumë arsye. Përballja politike pritet të jetë më e ashpra në gjithë këto 30 vite pluralizëm. Rilindja dhe kryeministri Edi Rama kërkojnë mandatin e tretë në situatën kur vendi përjeton krizën më të rëndë politike dhe ekonomike. Humbja e PS në këto zgjedhje nuk do të thotë vetëm falimentim i projektit të rilindjes, por dhe përfundim i karrierës politike të kryeministrit Edi Rama. Bashkë me kryeministrin dhe Rilindjen merr fund dhe gjithë mafia e tij që është instaluar prej vitesh. Për këto arsye, beteja e PS-së do të jetë më e ashpër se kurrë dhe siç kanë treguar zgjedhjet e fundit, rilindja nuk do të bëjë garë të ndershme. Gjithë fuqia ekonomike dhe lidhjet mes Rilindjes dhe krimit të organizuar do të hidhen në aksion për të mbrojtur pasuritë e për të mbajtur pushtetin. Për ata fitorja me çdo kusht, përfshi vjedhjen e manipulimin është e vetmja mënyrë për t’i shpëtuar ndëshkimit. Por nuk do ketë asnjë fuqi që do ta ndalë ndryshimin e madh, ku PS-ja do kalojë në opozitë. Sondazhet tregojnë se do të marrin rezultatin më negative të 30 vitevë pluralizëm.
Ndërkohë Opozita ndodhet në momentin më të mirë elektoral. Sondazhet flasin për një fitore spektakolare, por sfida më e madhe e saj është që votat që do të marrin të mos manipulohen dhe të numërohen saktë. Këto 7 muaj partive të opozitës u duhet që të hartojnë strategji efikase për të mos lejuar që asnjë votë të mos shkojë dëm dhe mbi të gjitha të mos tjetërsohet nga metodat rilindase. Kemi parë që Rilindja shkon në zgjedhje pa kundërshtarë, fut të vdekurit si votues dhe votat i numërojnë grupet kriminale. Me historinë e masakrimit të zgjedhjeve nga rilindja, në këtë fushatë do të ketë çudira të paimagjinueshme, ndaj opozitës i duhet të ketë gati reagimin për çdo skenar. Këto zgjedhje kanë dhe një sfidë tjetër të madhe. Si rrallë herë në proceset elektorale, partitë po hyjnë në fushatë kur ende nuk janë përcaktuar qartë rregullat e lojës me ndryshimet e Kodit Zgjedhor. Ndryshimi i njëanshëm i Kushtetutës dhe shkatërrimi i marrëveshjes së opozitës reale me ndërkombëtarët, kanë kthyer dhe njëherë debatin për ligjin elektoral në pikën e nisjes. Rilindja kërkon që në këto zgjedhjet të mos ketë koalicione, me shpresë se votat do ta nxjerrin parti të parë. Loja e pistë për të përçarë opozitën dhe krijimi i partive fiktive me rilindas të maskuar si “opozitarë” do të tensionojë dhe më shumë garën elektorale.
Por një një gjë mbetet shumë e sigurtë: Humbja e Rilindjes është e sigurtë. Edhe biznesmenët dhe njerëzit afër Ramës flasin për humbje të madhe, ndaj kanë filluar të bëjnë llogaritë se si do ti përshtaten qeverisë së re të pas prill 2021.
Opozita do jetë e bashkuar dhe do sjellë emra të rinj në qeveri.
Mili Xhani