Historia e Koha Jone/Me datë 27 mars 1993 kryeredaktori Aleksandër Frangaj në arrest shtëpie. Mbërrin Edi Rama pjesë e redaksisë
Dje paradite kryeredaktori Aleksandër Frangaj u thirr në hetuesinë e Prokurorisë së Tiranës nga hetuesi Arben Qeleshi për t’u pyetur rreth lajmit të botuar në gazetën “Koha Jonë”: “Me dhjetëra tanke drejt kufirit verilindor” numrin e kaluar. Në hetuesi, kryeredaktori Frangaj deklaroi se është e vërtetë se janë parë disa “Skanio” mbi rimorkiatorët e të cilëve ka pasur si zakonisht tanke të mbuluara me mushama ushtarake jeshile. Këto janë parë, vazhdoi zoti Frangaj në afërsi të qytetit të Mamurrasit, në rrugën nacionale drejt veriut të Shqipërisë. Nuk kemi të dhëna për destinacionin e tyre, por unë e mbroj deri në fund faktin se tanket janë parë duke kaluar në këtë rrugë, theksoi zoti Frangaj. Hetuesi kërkoi të dinte autorin e informacionit dhe atij të formulimit të lajmit. Zoti Frangaj tha se makinat “Skanio” i kanë parë shumë njerëz, të cilët mund të dëshmojnë për këtë, por që unë nuk nxjerr aktualisht emrat e tyre se ruaj sekretin e informacionit tim. Më pas hetuesi Arben Qeleshi, i cili në fillim i tha zotit Frangaj se ju kemi thirrur thjesht për t’ju pyetur për këtë lajm dhe se nuk do të hapej ndonjë çështje penale, pasi shkoi dhe u konsultua me shefat e tij i komunikoi kryeredaktorit Frangaj fillimin e çështjes penale me akuzën: “Përhapje të informatave që krijojnë panik”. Zoti Frangaj kërkoi të dinte se çfarë paniku ishte hapur me këtë lajm dhe se si e vërtetonte hetuesi se tanket nuk kanë kaluar në drejtim të veriut. Hetuesi deklaroi se paniku është përhapur sepse këtë lajme e ka dhënë edhe Agjencia Tanjug.
Hetuesi i kërkoi kryeredaktorit që të përgënjeshtronte lajmin e dhënë një numër më parë, por zoti Frangaj nuk e pranoi një gjë të tillë, pasi, siç tha ai, unë nuk mund të shkel mbi të vërtetën. Kjo mund t’i kërkohet ndonjë gazetari servil të pushtetit, theksoi ai. Zoti Frangaj kërkoi të dinte se kush e kishte bërë materialin denoncues për këtë problem. Hetuesi tha se atë e bëjmë ne vetë. (Asnjë denoncim nuk kishte në dosje në kohën kur u thirr në hetuesi zoti Frangaj). Më pas hetuesi, pasi u takua përsëri me shefat e tij i deklaroi zotit Frangaj masën e arrestit shtëpiak me roje duke pasur parasysh rrezikshmërinë shoqërore të veprës së kryer nga i pandehuri. Pra pas ndalimit të Drejtorit Nikoll Lesi, për të lëvizur nga Lezha e Tirana, pas ndalimit të gazetarit tonë Frrok Çupi për të dalë nga Shqipëria, kryeredaktorit Aleksandër Frangaj i ndalohet të dalë nga shtëpia, pasi paraqet rrezikshmëri shoqërore.
Çdo njeri me mendje të kthjellët e kupton qëllimin e kësaj lufte të shkallëzuar me qëllim final, mbylljen e gazetës. Por një gjë është e qartë se mbyllja e gazetës nuk është mbyllja e së vërtetës. Sigurojmë lexuesin se “Koha Jonë” do të mbijetojë mbi këto sulme të shfrenuara të pushtetarëve.
Në numrin e ardhshëm do t’ju njoftojmë më gjerësisht për këtë problem.
Sqarim mbi lajmin
“Me dhjetëra tanke drejt kufirit verilindor”
Në gazetën “Koha Jonë” të datës 24 mars 1993 është botuar lajmi me titull “Me dhjetëra tanke drejt kufirit verilindor”. Mbas botimit të lajmit ka pasur shumë komente rreth tij si në Radio Televizion ashtu edhe nga persona përgjegjës në Ministrinë e Mbrojtjes. Lajmi u përgojua si një informacion i pavërtetë dhe i pabazuar. Për këtë sqarojmë se është shumë e vërtetë që më 21, 22 e 23 mars 1993, dhjetëra tanke kanë kaluar në rrugën veriore automobilistike edhe nëpër qytetin e Lezhës. Redaksia e ndjen se në lajm është bërë një lapsus kur është shkruar “Drejt kufirit verilindor”, në vend që të shkruhej “Drejt kufirit verior”.
Ndërsa lidhur me akuzën që i bëhet kryeredaktorit zotit Aleksandër Frangaj se “ka përhapur informata që krijojnë panik”, sqarojmë: Lajmi është përpiluar dhe botuar mbi bazën e principeve të njohura të shtypit të lirë, i cili jep informacion për atë që ndodh, për atë që ngjet faktikisht. Gazeta dhe as lajmi nuk kanë aspak synimin për të përhapur panik. Në qoftë se këtij lajmi, do t’i bëhej një analizë në aspektin moral, më e shumta e analizës del që ai është kundër panikut të Ushtrisë dhe popullit shqiptar. Në këtë situatë, kur shumë shqiptarë kanë dëgjuar e mësuar se regjimi i kaluar e la vendin edhe pa një teknikë luftarake mbrojtëse të aftë, lajmi pikërisht jep kurajë dhe ngre moralin e njerëzve duke ju thënë se ne kemi tanke, ne kemi teknikë për të mbrojtur jetën e njerëzve nga një sulm i mundshëm, prandaj moralin lart. Kushdo e kupton dhe duhet ta kuptojë vetëm kështu moralin e këtij lajmi.
31 Mars 1993
“Koha Jonë” përballë sulmit të pushtetit politik, vetëmbrohet dhe garanton ardhmëri
Siç dihet, Drejtori dhe Kryeredaktori i gazetës “Koha Jonë”përkatësisht Nikoll Lesi e Aleksandër Frangaj janë që të dy në proces penal e të ndaluar që të lëvizin lirisht. Kuptohet se kjo goditje personash është një presion që pushteti politik ndërmerr kundër gazetës “Koha Jonë” në mënyrë që të tulatë shtypin e lirë në Shqipëri. Duke u nisur nga fakti se shtypi i lirë është e vetmja garanci për të mbrojtur realisht të drejtat e njeriut, Asambleja e gazetës dhe redaksia e saj për të mbrojtur gazetën, lirinë e shtypit dhe demokracinë në Shqipëri, vendosi që të rregullojë stafin e vet për t’u bërë ballë të gjitha presioneve të këtij momenti. Koshient se me mbrojtjen e gazetës i bëhet njëherësh edhe shërbimi më i mirë demokracisë, ajo deri në një kohë të pacaktuar paraqet këtë staf:
Spartak Ngjela: Drejtor i Gazetës
Frrok Çupi: Kryeredaktor
Gazetarë: Nikoll Lesi, Aleksandër Frangaj, Armand Shkullaku, Plator Nesturi, Dritan Kaba, Martin Leka, Daut Gumeni
Këshilli botues, kryetar: Azem Hajdari
Anëtarë: Fatos Lubonja, Edi Rama, Ardian Klosi, Jorgo Bllaci, Blendi Gonxhe
31 Mars 1993
Lajmi për tanket në Veri të Shqipërisë ka trembur Sllobodanin në Serbi dhe Millosheviçët në Shqipëri
Jam i detyruar t’u përgjigjem akuzave të bëra në drejtimin tim si dhe të Gazetës “Koha Jonë” ditët e fundit. Siç është vënë në dijeni opinioni shqiptar nëpërmjet RTV dhe shtypit tonë si dhe opinioni i huaj mbarëbotëror nëpërmjet agjencive të lajmeve, unë si Kryeredaktor i “Koha Jonë” gjendem në arrest shtëpie i akuzuar nga Prokuroria e Tiranës për “Përhapje të informatave të rreme që krijojnë panik” nëpërmjet lajmit të botuar javën e kaluar “Me dhjetëra tanke drejt kufirit verilindot”. E kam deklaruar në hetuesi, në shtyp e gjithandej se lajmi i dhënë nga ana jonë është tepër i saktë e i konfirmuar si s’ka më mirë nga dhjetëra e dhjetëra dëshmitarë okularë. E përsëris edhe një herë dëshminë time: Gjatë javës së kaluar nga burime tepër të sigurta, që nuk pranoj t’i publikoj tani për tani, jemi informuar se dhjetëra tanke kanë lëvizur drejt kufirit verior të Shqipërisë. Këtë lajm e mbroj në çdo kohë dhe ku të jetë e nevojshme. Kaq është lajmi ynë i cili nuk ka asnjë lloj dashakeqësie, siç janë shprehur disa pensionistë e disa ushtarakë në asistencë nëpërmjet Radio Tiranës. Ministria e Mbrojtjes ka deklaruar sipas ATSH se nuk ka pasur asnjë lëvizje të tankeve tyre. Kjo do të vërtetohet. Ato kanë kaluar disa ditë me radhë e ditën për diell. Njerëzit i kanë parë e ata janë të shumtë. Shyqyr Zotit që nuk bëhet fjalë për ndonjë avion apo anije kozmike, verifikimi i të cilave do të ishte i vështirë. Prokuroria akuzon se është përhapur panik nëpërmjet këtij lajmi. Mund të jetë e vërtetë. Tanket shqiptare duke lëvizur drejt kufirit verior të Shqipërisë mund të kenë përhapur panik te serbët apo udhëheqësi i tyre Sllobodan, sigurisht që mund të jetë trembur edhe ndonjë Millosheviç në Shqipëri. Unë për këta nuk mbaj as përgjegjësi penale dhe as morale. Unë jam shqiptar dhe i tillë dua të mbetem. Shqiptarët nuk tremben nga tanket shqiptare të cilat lëvizin brenda territorit të Republikës. Do të qe ndryshe sikur lajmi ynë të bënte fjalë për tanke serbe në drejtim të Shqipërisë, megjithëse gazeta nuk merr përsipër as të përhapë e as të ndalë panikun. Ajo jep lajmin dhe mban përgjegjësi për vërtetësinë e tij, ndërsa për komentet që i bëhen nga njerëz të ndryshëm, të shkolluar e të pashkolluar, të mençur e psikopatë nuk mban përgjegjësi. Siç duket këta të fundit, nga “mençuria” e tyre e mendojnë shtypin përsëri si në kohën e Enverit. Një veprim i tillë është i qartë se ka të bëjë me presionet e shtetit të ashtuquajtur demokratik ndaj gazetës sonë. Ndryshe nuk ka si të kuptohet masa e arrestit tim për një lajm tepër të saktë në një kohë kur për deklarata të tilla vërtet antikombëtare si “votat edhe Sllobodanit jepjani por kurrë PS” e humoristit Blerim Çela, deklaratat e Bashkim Koplikut në Maqedoni e ajo e fundit në Greqi kur i bën thirrje ushtrisë greke të futet në territorin e Republikës sonë për të vrarë refugjatët që do të tentojnë të kalojnë kufirin, deklarata e Eduart Selamit se ato zona që do votojnë për PS nuk do të ndihmohen nga Qeveria Demokratike, e për shumë të tjera nuk është mbajtur asnjë qëndrim. Tashmë për ne janë bërë të qarta dy rrugë: të shkruajmë të vërtetën e të përfundojmë nëpër burgjet e demokracisë ose të mashtrojmë opinionin e të jetojmë të qetë nën mbrojtjen e parakohshme të pushtetarëve të sotëm komunistë. Të dyja janë rrugë të vështira, por për gazetarin, më e vështirë është ajo e gënjeshtrës. Ne vërtet do të jetojmë e punojmë nën presione edhe këto pak kohë që u kanë mbetur këtyre njerëzve që thonë se qeverisin, por aman nesër nuk do na skuqet faqja para atyre që do të marrin nëpër duar punën tonë të sotme, nuk do të na vijë turp nga vetja për ato shkrime që sot firmosim. Unë ende nuk e kam të qartë se ku duan të dalin me këto veprime pushtetarët e sotëm. Dikush thotë se ndjekin rrugën e Enverit. Unë nuk mund ta them pasi Enveri bëri ligjet e tij me të cilat të thoshte rri urtë se unë të dënoj. Ndërsa Sali Berisha thotë fol dhe të fut në burg me ligjet e Enver Hoxhës. Edhe neni për të cilin akuzohem unë është prodhim absurd i Enverit. “Informata që përhapin panik”që sipas shumë juristëve nuk ekziston në asnjë legjislacion të botës. Por Berisha me sa duket ka marrë përsipër t’i shfrytëzojë mirë ato nene që Enverit nuk ju dha mundësia t’i përdorte për dënimin e njerëzve të pafajshëm. Megjithatë kjo është punë e pushtetit. Ne jemi të detyruar të durojmë. Pritëm 50 vjet të jetojmë të lirë. Fundja edhe tre vjet që kanë mbetur nuk janë shumë. Së fundi deklaroj edhe një herë vërtetësinë e lajmit tonë, hedh poshtë kategorikisht akuzën, faktet për të cilën janë të bollshme dhe denoncoj publikisht mashtrimin që bën Ministria e Mbrojtjes kur thotë se nuk ka pasur lëvizje tankesh drejt veriut. Ndërsa për akuzat që bëjnë disa ushtarakë pensionistë dhe të tjerë në asistencë si dhe një spiun të Sali Berishës në Gazetën “Republika” rezervoj të drejtën t’u përgjigjem më vonë kur çështja të jetë sqaruar plotësisht, pasi aktualisht nuk kam kohë. Spiuni e di vetë cili është dhe pres një qëndrim korrekt ndaj këtij problemi në Gazetën “Republika”. Falënderoj bashkëqytetarët e mi për ndihmën që më dhanë në grumbullimin e fakteve për të provuar absurditetin e akuzës./Aleksandër Frangaj/