“Më martuan 13 vjeç”, drama e vajzave shqiptare që lidhin kurorë në moshë të mitur

Ndonëse shoqëria jonë është hapur ndaj zhvillimit prej vitesh, për fat të keq disa fenomene jo pozitive janë ende të pranishme.

Një prej tyre është edhe martesa e vajzave që në moshën minorene. Ndonëse ligji shqiptar nuk e lejon martesën nën moshën 18 vjeç ka disa raste “me rëndësi” siç thuhet në nenin 7 të ligjit Nr. 9062.

Gazetarja Mimoza Picari përgatiti për Zërin e Amerikës një material me këtë temë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Organizatat që mbrojnë të drejtat e fëmijëve, në ndryshim nga zyrtarët e qeverisë, mendojnë se shifrat e martesave të hershme janë shqetësuese. Ndërsa Parlamenti Europian në rezolutën e miratuar në korrik të këtij viti, rekomandon prerë ndalimin e këtyre martesave.

Swiss Digital Mobile Reklama

Martesat nën moshën 18 vjeç, konsiderohen nga të gjitha konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, shkelje e të drejtave të tyre dhe dhunë me bazë gjinore. Të dhënat e Instat për vitin 2017 vënë në dukje se në 16.9% të martesave , bashkëshortja ishte nën 18 vjeç, dhe në vetëm 0.5% ka qenë bashkëshorti nën këtë moshë.

Elma Tërshana e “Observatorit për të drejtat e fëmijëve”, thotë se momentalisht kjo organizatë gjykon mbi bazë rastesh.

Ajo ka thënë:

Nga vëzhgimet tona, 80-90% në shkollat e mesme të një qyteti janë të fejuara tashmë. Këto janë realitete të copëzuara sjellin një panoramë tronditëse.”

Martesat e hershme në 31% të rasteve, sipas statisikave të organizateve joqeveritare, ndodhin brenda komuniteteve egjiptiane dhe rome.

Orkide Driza, pjestare e komunitetit egjiptian, duke rrëfyer historinë e saj për Zërin e Amerikës, tregon se si mamaja e martoi 13 vjeç e 7 muaj për të shëruar motrën, pasi prindërit e bashkëshortit të saj të ardhshëm kishin njohje me disa mjekë në Durrës. Motra vuante nga një sëmundje në veshka dhe ajo sot thotë se e pranoi këtë martesë, për ta shëruar atë.

Pas 15 viteve martesë, Orkideja, nënë e 4 fëmijëve, i jep fund martesës, merr vetëm vajzën e vogël dhe largohet nga Kavaja për në Tiranë. Kur vajza Bleona mbushi 11 vjeç, ajo merr një vendim, për të cilin sot është penduar.

Orkide Driza ka treguar:

Me vajti vajza 11 vjeç, s’kisha ekonomi të mirë dhe e fejova Bleonën. Kur shkoi 13 vjeç e gjysmë u martua. Jam penduar që e kam martuar të vogël, por isha e detyruar nga rrethanat”.

Ndërsa vajza, Bleona, shprehet për Zërin e Amerikës, se në momentin që e jëma i ka thënë se do ta martojë, nuk e ka kuptuar se çfarë do të ndodhë me të.

Bleona ka treguar:

Isha e re, e vogel s’dija gjë. Por ja që u martova. E bëra unë atë gabim, të mos përsëritet me fëmijën tim.”

Sot Belona është 18 vjeç, ka dy fëmijë dhe pret një të tretë.

Legjislacioni shqiptar parashikon martesa nën moshën 18 vjeç për raste të veçanta, me vendim gjykate, duke ja lënë gjykatësit të çmojë se cili është rast i veçantë, si psh. në rastin e një shtatzënie, për arsye emigracioni apo për arsye ekonomike.

Ligji përcakton vetëm një raport të psikologut në prosesin e marrjes së vendimit për lejimin e martesave të hershme, ndërsa përfaqësues të sistemit gjyqësor, propozojnë edhe raport nga mjeku, që verteton pjekurinë seksuale, si dhe nëse është abuzuar me fëmijën, apo dhe përcaktimin e moshës minimale për martesë. Kodi penal parashikon dënime për kryerjen e marrëdhineve seksuale, qoftë dhe me dëshirë, nën moshën 14 vjeç.

Rreth 60% e këtyre vajzave që kanë hyrë në martesë të hershme, brenda 5 viteve janë divorcuar, sipas studimeve.

Protagonistë të shoqërisë civile dhe autoritetet zyrtare rendisin shkaqet e divorceve dhe problemet që lidhen me arsimimin, punësimin dhe të ardhmen e vajzave që martohen nën 18 vjeç. Ata mendojnë se në zbutjen e fenomenit të martesave nën moshë, do të ndikojë arsimimi i tyre.

Fenomeni i martesave të hershme ka vënë në lëvizje së fundi edhe parlamentin europian.

Rezoluta e Paramentit Europian e korrikut të ketij viti, kërkon nga Shtetet Anëtare të BE-së, si edhe për vendet me të cilat bashkëpunojnë, të ndalojnë me ligj martesat e fëmijëve, martesat e hershme dhe ato të detyruara.

Rezoluta nënvizon se konsiderohen mangësi ligjore në ato raste, kur martesa e fëmijëve lejohet, kur përdhunuesve, abuzuesve të fëmijëve, atyre që i rrëmbejnë, i trafikojnë, apo i skllavërojnë, u krijohet mundësia që t’i shpëtojnë dënimit, në qoftë se martohen me viktimën e tyre.

Thirrja e hapur nga Parlamenti Europian për të ndaluar martesat e hershme, pritet të shmangë dramën e përsëritur, kur një fëmijë nuk është as grua, dhe as fëmijë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?