“Më shumë pemë, më shumë ajër për Tiranën”; Julinda Dhame: Po transformojmë kryeqytetin!

Drejtoresha e Mjedisit dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm në Bashkinë e Tiranë, Julinda Dhamo ka folur për nismën e Bashkisë së Tiranës për mbjelljen e pemëve në kryeqytet.

“Ne kemi kohë që po punojmë për mbledhjen e pemës. Ne kur bëjmë thirrje si Bashki e Tiranës që t’i afrojmë njerëzit, që të mbjellin pemë, na janë ofruar njerëz që kanë pasion natyrën e mjedisin. Kjo është pjesa e bukur e punës tonë që na bashkohen njerëz të tillë. Për mbjelljen e tyre bëhet një studim, ka specialistë përkatës, ka rregulla të shkruara, ka edhe një rregullore”, ka thënë ajo.

Dhamo ceku disa nga zonat kryesore ku është fokusuar kjo fushatë. Ajo theksoi se përveç buxhetit të Bashkisë për gjelbërimin e qytetit ka edhe shumë qytetarë që i janë bashkuar kësaj nisme.

“Ne mbjellim në Parkun e Dajtit, në Shëngjergj, në Farkë. Nëpër rrugë. Sepse pemët që thahen, zëvendësohen. Kemi parqet brenda në qytet dhe afër shkollave. Kemi Liqenin e Farkës ku kemi mbjellë shumë pemë. Po kthehet në një mini ekosistem. Kemi edhe Liqenin e Kasharit. Kemi Krrabën. Kemi Lumin e Tiranës që po bëjmë gjelbërimin e pjesës së skarpatës. Ne po punojmë vërtetë shumë për pjesën e mbjelljeve. Ka ndryshuar pjesa e gjelbërimit. Ne kemi shumë njerëz që janë përditë me ne dhe mund të flasin vetëm se çfarë bëjnë”, deklaroi Dhamo.

SHKARKO APP