Më shumë turistë polakë në Shqipëri, më pak shqiptarë të Kosovës
Polakët po e preferojnë gjithnjë e më shumë Shqipërinë. Të dhënat e Institutit të Statistikave, INSTAT, për hyrjen e shtetasve të huaj në 6 muajt e parë të vitit tregojnë se në vend kanë hyrë 7 mijë polakë më shumë se të njëjtën periudhë të vitit 2017.
Në gjysmën e parë të vitit në Shqipëri kanë hyrë 1.9 milionë shtetas të huaj. Drejtorsha e instat bën me dije se nga të dhënat konstatohet se rritjen më të madhe e kanë pasur shtetasit polakë, një tendencë kjo që ka ardhur duke u shprehur më shumë në dy vitet e fundit. Në krahasim me të njëjten periudhë të një viti më parë në Shqipëri kanë hyrë 7 mijë polakë më shumë.
“Ka filluar që vitin e kaluar, pra ka qenë në rritje numri i polakëve në Shqipëri sepse nuk janë të lidhur vetëm me turizmimn bregdetar, por edhe me atë malor”, ka thënë Ibrahimaj për Oranews.tv.
Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë kësaj periudhë ka pasur rënie të numrit të shtetasve të Kosovës që kanë udhëtuar për pushime në Shqipëri. Gjatë periudhës janar-qershor në Shqipëri kanë hyrë mbi 2 mijë kosovarë më pak.
Sipas drejtores Ibrahimaj, dy muajt e verës janë ata që pritet të kenë pikun e hyrjes nga Kosova.
“Për të parë fluksin dhe tendencën muajt që kanë hyrjet më të mëdha, si të kosovarëve ashtu edhe shtetasve të huaj, janë korriku dhe gushti. Kjo lidhet me sezonin veror”, ka thënë ajo.
Në muajin qershor 2018, hyrjet e shtetasve të huaj në Shqipëri ishin rritur për 13,3 %, krahasuar me qershorin e vitit 2017. Sipas INSTAT, kjo rritje ka ardhur kryesisht nga hyrjet e shtetasve maqedonas – me 58,3,%, polakë – me 16,9 %, Italianë – me 5,6 %, krahasuar me qershorin e 2017.
Por, INSTAT ka regjistuar edhe rritje të numrit të hqiptarëve që udhëtojnë jashtë. Ibrahimaj ka thënë se vizitat te familjarët dhe pushimet janë disa prej aryeve të udhëtimit të shqiptarëve jashtë vendit.
“Në 6 mujorin e parë të vitit, numri i shqiptarëve që kanë udhëtuar jashtë është rreth 2.4 milionë apo 5.9% më shumë në krahasim me 6 mujorin e parë të 2017. Ndërsa për muajin qershor janë rreth 400 mijë shqiptarë që kanë udhëtuar jashtë dhe ky numër psërbën 7.8 % rritje”, ka treguar ajo.
KOHA JONË SONDAZH

