Me tre gjuhë për në BE, gjimnazistët: Çelësi për t’u larguar nga Shqipëria
Me idenë se të ardhmen mund ta sigurojnë vetëm jashtë Shqipërisë, të rinjtë po e brumosin që në gjimnaz, madje për këtë kanë nisur të përgatiten duke mësuar më shumë gjuhë të huaja.
Në gjimnaze zhvillohet lënda e gjuhës angleze dhe asaj italiane. Për disa këto janë të mjaftueshme për një të ardhme të mirë, qoftë në Shqipëri e qoftë jashtë saj.
“Do preferoja italishten, anglishten, si dhe gjermanishten si gjuhë të huaj, pasi edhe shkollat atje janë më të mira. Kjo do të ishte një mundësi që edhe ne t’i përvetësonim më shumë gjuhët dhe të kishim më të lehtë për të vajtur në Gjermani. Unë në fakt e bëj kursin për gjuhën gjermane pas shkollës”, shprehet gjimnazistja.
Por disa të tjerë e shohin zgjidhjen te gjuha gjermane, ndaj dhe kanë zgjedhur t’i drejtohen kurseve private.
“Për të dalë jashtë Shqipërisë se ku ka punë këtu, s’ka punë këtu. Do preferoja gjuhën gjermane, angleze”, thotë një tjetër gjimnazist.
“Besoj se tani për tani mjaftojnë sepse jemi në vit të tretë, por besoj se ai që do të mësojë mund të mësojë edhe një gjuhë tjetër, nuk është problem fare. Besoj se ai që ka dëshirën dhe vullnetin mund të mësojë edhe një gjuhë tjetër. Unë merrem me frengjisht, mësoj edhe gjermanisht, do t’i futem tani. Se di besoj të vazhdoj jashtë shkollën. Besoj se sa më shumë që të dish, aq më shumë njeri je, kështu që është plus i madh për atë që di më shumë gjuhë”, tregon gjimnazisti.
Sipas të dhënave të Eurostat rreth 75 përqind e shqiptarëve që kërkojnë azil në vendet e Bashkimit Evropian janë nën moshën 34 vjeç, ndërsa progresionet e institucioneve ndërkombëtare parashikojnë një rënie të madhe të popullsisë në Shqipëri.