”Më treguan videot e vajzës”, babai i autorit: Jemi ngujuar si fis

Familja Hasaj në Postribe të Shkodrës, është e ngujuar prej 15 ditësh nga frika e gjakmarrjes. Dy djemtë, Arjoni dhe Klismani akuzohen për vrasjen e fqinjit, Ramazan Matajt. Kryefamiljari Rrustem Hasaj, tregon se familja me 4 fëmijë të mitur nuk ka asnjë forcë punëtore dhe as të ardhura. Në një intervistë për “Shqipëria Live”, ai tregon sesi vajzës së tij iu prishën dy martesa për shkak të viktimës.
”Fati ynë është në dorë të zotit, skam as rrogë as ndihmë as pension. Fëmijët nuk e dinë çfarë ka ndodhur, mendojnë se të atin e kanë jashtë shtetit. Vajza është 8 vjeçe ke kupton. Zoti në qiell e di si do të përfundojë. Për rastin në fjalë nuk është diskutuar, vetëm dy herë. Nuk më kanë sqaruar gjë, janë shumë të prekur për atë që ka ndodh por shprehja e tyre është se na ka mundur e keqja.
Unë nuk i kam ditur çfarë ka ndodhur. Kjo punë mosmarrveshje ka 6 vite. Unë kam qenë para 4 vitesh në dijeni, vajza ime është ndarë nga dy burra për shkak të këtij personi. Familja e burrit të dytë më ka ardh në mes të natës në shtëpi më kanë treguar disa video të vajzës që unë nuk kam mundur t’i shoh. Ka 4 vite që ajo vajzë është larguar nga shtëpia. Ai ka tentuar të futet edhe me zor në shtëpi, vajza ka bëritur. Vajza e vogël ka bërë denoncim për përndjekjen që ka bërë.
Është bërë shoqërimi i këtij personi, unë ja kam lënë shtetit në dorë. Dua drejtësi, dënimin ta marrin këta që kanë bërë krimin. Jam 60 vjeç dhe do rris dhe 4 fëmijët e djalit. Më kanë thënë që vajza ka ikur në Francë, ka ndenjur një vit atje dhe ka ardhur në Shkodër dhe kanë nisur problemet sërish me këtë person. Për djalin e vogël bëj be në kish e në xhami që është i pafajshëm. Djali i madh e ka bërë vetë ngjarjen. Djali ka bërë takime me viktimën dhe të vëllain, i ka thënë hiq dorë. Nga data 25 dhjetor deri më 4 janar, e ka porosit 5 herë këtë viktimën, kurse vëllain e ka porositur para se të ikte ai në Belgjikë”,-u shpreh Rustemi.