“Më vranë dritën e syve”, nëna e 35 vjeçarit nga Korça akuza firmës
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e së premtes në qytetin e Korçës, ku një 35 vjeçar humbi jetën pas një incidenti në punë.
Punëtori 35- vjeçar, Elvis Josifi ka ndërruar jetë në vend për shkak të goditjes tepër të fortë. Grupi hetimor nisi punën për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e ngjarjes.
Burime konfidenciale për Abc News thonë se familjarët janë përplasur me përgjegjësit e firmës gjatë ceremonisë mortore. Po të njëjtat burime bëjnë me dije se nëna e viktimës ka hedhur akuza ndaj firmës se i kanë vrarë djalin teksa ai punonte për bukën e gojës.
“Më vranë djalin që e kisha rritur me sakrificë dhe mundime. Djali im nuk vlen sa një drekë. Mos u tallni me gjakun e djalit tonë. Të kalben në burg ata që ma vranë dritën e syve”.
Këto janë fjalët rrënqethëse teksa firma ku punonte Ervisi kishte kërkuar të mbulonte shpenzimet e ceremonisë mortore. ABC News ka shkuar tek banesa e 35 vjeçarit ndërsa nëna dhe motra e tij nuk kanë pranuar të flasin në kamera .
Dhimbje dhe lot ishte ajo çka gjeje në apartamentin modest të familjarëve të Ervisit ku sot e përcollën në banesën e fundit.