Media amerikane rekomandon Tiranën mes qyteteve evropiane për t’u vizituar këtë vjeshtë
Tirana po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje si një nga qytetet evropiane, që mund të eksplorohen me një buxhet të përballueshëm, veçanërisht gjatë vjeshtës, kur numri i turistëve dhe çmimet kanë tendencë të bien, shkruan Camilla Foster në një artikull të botuar në median amerikane “Tri-City Herald”.
Kryeqyteti shqiptar është përfshirë në një listë me pesë destinacione evropiane që rekomandohen për këtë sezon, falë atmosferës së tij shumëngjyrëshe, historisë dhe zonave të ndryshme që mund të zbulohen në këmbë.
Vjeshta konsiderohet periudha ideale për të vizituar disa nga qytetet më të bukura të Evropës, në një atmosferë më të qetë dhe larg fluksit të madh të turistëve që krijohet gjatë sezonit të verës.
Shtatori dhe tetori konsiderohen shpesh si periudha ndërmjetëse e sezonit turistik, pasi numri i vizitorëve bie dhe turistët mund të gjejnë oferta më të leverdishme.
Ekspertja e udhëtimeve dhe drejtuesja e operacioneve në platformën e udhëtimeve “Transfer Travel”, Laura Carden-Lovell, shpjegon se në këtë periudhë çmimet e fluturimeve dhe hoteleve mund të ulen ndjeshëm.
Megjithatë, ajo këshillon që turistët të marrin parasysh edhe shpenzimet e tjera, të cilat mund të rriten shpejt.
Sipas saj, është e rëndësishme të llogaritet edhe kostoja e transportit brenda qytetit që do të vizitohet.
Ajo vlerëson se qytetet ku mund të lëvizet lehtësisht në këmbë, janë veçanërisht të përshtatshme për udhëtime të shkurtra, pasi vizitorët mund të shohin shumë vende pa shpenzuar për transportin.
Edhe çmimet e makinave me qira, zakonisht bien gjatë sezonit të vjeshtës, krahasuar me muajt e verës.
Carden-Lovell shton se shumë destinacione më pak të njohura në Evropë, veçanërisht në Ballkan, janë bërë gjithnjë e më të popullarizuara falë rrjeteve sociale.
Sipas saj, videot për qytete evropiane me kosto të përballueshme, janë shfaqur kohët e fundit gjithnjë e më shumë në TikTok dhe Instagram, duke ndikuar në rritjen e interesit për këto destinacione.
Ajo thekson se rrjetet sociale, u japin vizitorëve një ide të shpejtë, për atë që mund të shohin dhe të bëjnë në një destinacion të caktuar, ndaj platformat si TikTok dhe Instagram mund të shërbejnë edhe si burim frymëzimi për planifikimin e pushimeve.
Për ata që kanë pritur për një mundësi të përshtatshme, për një udhëtim të shkurtër dhe të minutës së fundit në një qytet evropian, artikulli propozon pesë destinacione të përballueshme dhe tërheqëse për t’u fotografuar, që mund të merren në konsideratë këtë sezon.
Artikulli rendit pesë qytete evropiane si destinacione me kosto të përballueshme për t’u zbuluar këtë sezon: Tiranën në Shqipëri, Sarajevën në Bosnjë-Hercegovinë, Sofjen në Bullgari, Talinin në Estoni dhe Rigën në Letoni.
Tirana, Shqipëri
Sipas Carden-Lovell, Tirana është një qytet i ndritshëm, shumëngjyrësh dhe me një histori të pasur.
Ajo thekson se Shqipëria është një nga destinacionet turistike me rritjen më të shpejtë në Evropë, ndaj edhe kryeqyteti, Tirana, është bërë gjithnjë e më i popullarizuar.
Qyteti përfshin shumë zona të ndryshme dhe interesante për t’u eksploruar, ku ndërthuren kultura moderne dhe dinamike me një histori të veçantë, që lidhet me periudhën komuniste dhe atë osmane.
Carden-Lovell këshillon që vizitorët ta nisin eksplorimin nga Sheshi Skënderbej, sheshi kryesor në qendër të Tiranës, ku nuk kërkohet asnjë pagesë për ta vizituar dhe eksploruar.
Më pas, ajo sugjeron të vazhdohet drejt Bllokut, një nga zonat më të gjalla të qytetit, ku vizitorët mund të ndalen në kafene të ndryshme dhe të shijojnë atmosferën e lagjes.

