Media izraelite: Shqipëria, surpriza e turizmit evropian mes detit, historisë dhe Alpeve

Mes Ballkanit dhe Greqisë shtrihet Shqipëria, një destinacion që ofron gjithçka që mund të ëndërroni, kulturë dhe histori të pasur, qytete bregdetare magjike me rërë të bardhë, udhëtime malore dhe shumë më tepër, sipas një artikulli të botuar në median izraelite “The Jerusalem Post”.

Vitet e fundit, Shqipëria ka tërhequr gjithnjë e më shumë turistë, falë çmimeve të përballueshme, vijave bregdetare spektakolare dhe qyteteve historike.

Kjo tendencë bëhet edhe më e dukshme në një kohë kur mbingarkesa turistike po prek destinacione të mëdha evropiane si Italia, Greqia, Spanja dhe Portugalia.

Swiss Digital Desktop Reklama

Edhe Alpet Shqiptare janë shndërruar në një alternativë të shkëlqyer kundrejt Dolomiteve, në Itali – të cilat së fundmi po përballen me një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve dhe një presion në infrastrukturë.

Swiss Digital Mobile Reklama

“The Jerusalem Post” ka përmbledhur gjithçka që duhet të dini përpara se të planifikoni një udhëtim në këtë vend të Evropës Juglindore, ende jo shumë të njohur, por që izraelitët kanë nisur ta frekuentojnë që prej vitit të kaluar, për shkak të fluturimit të shkurtër (rreth dy orë), si dhe çmimeve të ulëta dhe të përballueshme.

Më poshtë renditen disa nga vendet që ia vlen të përfshihen në listën tuaj të dëshirave:

Tirana

Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, u ofron vizitorëve një kulturë të gjallë dhe histori të pasur.

Si një qytet që po transformohet me shpejtësi nga një e kaluar e mbyllur komuniste në një qendër dinamike ballkanike, ai paraqet një ndërthurje unike të arkitekturës italiane, osmane dhe komuniste.

Rekomandohet vizita në vende ikonike si Piramida e Tiranës, muzetë historikë Bunk’Art 1 dhe Bunk’Art 2, si dhe Shtëpia me Gjethe – për t’u njohur më shumë me historinë komuniste të qytetit.

Nga ana tjetër, për të eksploruar ndërtesat shumëngjyrëshe dhe artistike, sugjerohet një tur në këmbë.

Tirana ofron gjithashtu një kulturë të zhvilluar kafenesh dhe baresh, ku turistët mund të shijojnë ushqime tradicionale si byreku.

Qyteti siguron edhe akses të lehtë drejt maleve dhe natyrës përreth.

Riviera Shqiptare

Riviera Shqiptare ofron një vijë bregdetare spektakolare me plazhe të izoluara si, Plazhi i Gjipesë dhe Plazhi i Filikurit.

Vizitorët mund të relaksohen në plazhe me rërë të bardhë ose me guralecë, si dhe të ndërmarrin udhëtime me varkë për të zbuluar gjire të fshehura.

Adhuruesit e sporteve ujore, mund të praktikojnë aktivitete si kajak apo zhytje për të eksploruar mrekullitë e detit Jon, si dhe të vizitojnë burimin natyror, Syrin e Kaltër.

Gjithashtu rekomandohet vizita në Kalanë e Porto Palermos ose në Parkun Arkeologjik të Butrintit, i mbrojtur nga UNESCO.

Për dashamirësit e ecjeve në natyrë, shtigjet e Parkut Kombëtar të Llogorasë, ofrojnë pamje mbresëlënëse.

Në qytetin e Sarandës mund të shijoni prodhime të freskëta deti në restorantet buzë detit, ndërsa në Himara mund të përjetoni një atmosferë më të qetë.

Alpet Shqiptare

Turistët që kërkojnë një pushim malor të qetë dhe të paharrueshëm mund të drejtohen drejt Alpeve Shqiptare, të njohura edhe si “Bjeshkët e Nemuna”.

Rekomandohet të provohet një nga shtigjet më të famshme të ecjes në zonë, itinerari (Valbonë–Theth) midis Luginës së Valbonës dhe Thethit që zgjat nga gjashtë deri në nëntë orë dhe ofron pamje mahnitëse të natyrës së egër.

Gjithashtu, mund të vizitoni Syrin e Kaltër të Thethit – një pus me ujë të ftohtë dhe turkez, pranë fshatit Ndërlysaj, si dhe Kanionin e Grunasit dhe ujëvarat përkatëse.

Në Parkun Kombëtar të Thethit dhe Parkun Kombëtar të Valbonës gjenden fshatra tradicionalë plot hijeshi, ideale për vizitorët që kërkojnë të përjetojnë jetën malore autentike.

Të apasionuarit mund të bëjnë gjithashtu një udhëtim me varkë në lumin e Drinit – që kalon përmes Liqenit të Komanit, ose të qëndrojnë në një shtëpi tradicionale prej guri, të njohur si “kullë”, ku ofrohen ushqime organike – të përgatitura në shtëpi dhe mikpritje lokale për një përvojë më autentike.

https://www.jpost.com/consumerism/article-894420

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?