Media kanadeze: Tirana moderne, kryeqyteti shqiptar që po fiton një identitet të ri

Tirana po përjeton një transformim të jashtëzakonshëm, duke u shndërruar nga një kryeqytet dikur i zymtë dhe i izoluar në një qytet modern, dinamik dhe gjithnjë e më tërheqës për turistët ndërkombëtarë, shkruan Tim Johnson për median kanadeze “Travelweek”.

Ndryshimi vihet veçanërisht në pah në qendrën e qytetit, ku Sheshi Skënderbej, ndërtesat moderne, hapësirat publike, restorantet dhe zonat e rikualifikuara krijojnë një panoramë krejtësisht të ndryshme nga ajo e një dekade më parë.

Njëkohësisht, Tirana vazhdon të ruajë gjurmët e historisë së saj, duke ndërthurur trashëgiminë e periudhës komuniste me ritmin e një kryeqyteti, që po ecën me shpejtësi drejt së ardhmes.

Swiss Digital Desktop Reklama

Me të mbërritur në kryeqytetin shqiptar dhe duke udhëtuar drejt qendrës së qytetit, Tirana duket e panjohur krahasuar me atë që vizitova më shumë se një dekadë më parë. Dhe ky është një ndryshim shumë pozitiv.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Ndërtesa të gjitha të reja”, tha shoferi im, Aldi, duke treguar me dorë horizontin që shfaqej përpara.

Rrokaqiej modernë prej xhami ngrihen në horizont, ndërsa shumë prej tyre janë ende në ndërtim.

Transformimi duket pothuajse i pabesueshëm ndërsa arrij në Sheshin Skënderbej, vetëm disa blloqe larg hotelit tim.

Kur isha këtu në vitin 2014, statuja e heroit kombëtar, mbi kalë, ishte e rrethuar nga dheu, bari i dëmtuar, rrugë të shpërndara dhe hapësira parkimi.

Sot, trafiku është zhvendosur dhe parkimi është kaluar nëntokë.

Sheshi, i shtruar me gurë nga të gjitha trevat e vendit, është shndërruar në një hapësirë të gjallë takimesh dhe në zemrën e qytetit.

Fjalë për fjalë, mezi u besoj syve. Ndaj i drejtohem një kalimtari dhe i tregoj një fotografi nga vizita ime e parë.

A është vërtet i njëjti vend? – “Shumë gjëra kanë ndryshuar këtu”, u përgjigj ai, duke treguar jo vetëm ndërtesat e reja dhe vetë sheshin, por edhe parqet e vogla, tezgat e ushqimit dhe elementet e tjera që janë shtuar përreth.

Zona është e mbushur me të rinj, shumë prej tyre të buzëqeshur, edhe pse është një mbrëmje e zakonshme gjatë javës.

Pak vende në Evropë kanë përjetuar ndryshime kaq të mëdha vitet e fundit sa Shqipëria.

Dikur një shtet i izoluar, i drejtuar nga një diktator dhe i shkëputur si nga Perëndimi, ashtu edhe nga blloku lindor, vendi ka përjetuar një zhvillim të shpejtë dhe të vrullshëm.

Ndërsa plazhet e vendeve si Kroacia dhe Italia janë bërë më të mbipopulluara dhe më të shtrenjta, turistët që kërkojnë diell dhe det po orientohen gjithnjë e më shumë drejt jugut.

Vetëm gjatë 5-10 viteve të fundit, restorante, hotele dhe shërbime të tjera turistike kanë nisur të shfaqen në të gjithë vendin.

Një numër i madh evropianësh, tashmë kanë nisur të mbërrijnë në Shqipëri.

Sipas një raporti, numri i vizitave turistike është më shumë se dyfishuar ndërmjet viteve 2021 dhe 2025.

Megjithatë, Shqipëria sapo ka filluar të shfaqet si destinacion për tregun e Amerikës së Veriut.

Fluturimet e reja të “Air Transat”

Kjo pritet të ndryshojë. Këtë verë nisi fluturimi i parë direkt që lidh Kanadanë me Shqipërinë, një linjë sezonale, me një fluturim në javë, që lidh Toronton me Tiranën dhe operohet nga “Air Transat”.

Shqipëria është një vend relativisht i vogël, por me male dhe dalje në detet Adriatik dhe Jon.

Tirana është, me diferencë, qyteti më i madh i vendit, i cili ka rreth 2,8 milionë banorë.

Dikur disi e zymtë, Tirana që gjeta gjatë vizitës sime të fundit është një qytet i rigjallëruar, optimist dhe në zhvillim të shpejtë, që po ecën drejt së ardhmes, ndërsa vazhdon të ruajë kujtesën e një të shkuare të vështirë.

“Qyteti është një nga shembujt më dinamikë të transformimit urban në Ballkan”, tha Armand Ferra, themelues dhe drejtues ekzekutiv i “Fine Travel Albania DMC”, agjenci e specializuar në udhëtime të nivelit të lartë, e cila organizoi dhe realizoi pjesën më të madhe të udhëtimit tim.

“Në fund të fundit, Tirana nuk mund të përshkruhet plotësisht, ajo duhet përjetuar”, tha ai.

Dhe pikërisht këtë bëra. Në mbrëmjen time të parë në qytet, thjesht nisa të shëtis.

Darka në ambiente të hapura dhe dyqanet elegante

Pasi kaloj pak kohë në Sheshin Skënderbej, eci pranë Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, i ndërtuar në epokën e Hrushovit, Bibliotekës Kombëtare dhe Muzeut Kombëtar, të zbukuruar me një mozaik gjigant që mbulon 440 metra katrorë.

I përfunduar në vitin 1981, mozaiku është një nga shembujt më të fundit dhe më të drejtpërdrejtë të realizmit socialist në qytet.

“Ju mund të shihni këtu të gjitha etapat e historisë së Shqipërisë”, shpjegoi më vonë Edjon Maliqaj, udhërrëfyes i “Fine Travel”.

Nga luftëtari i lashtë ilir, te ata që luftuan kundër Perandorisë Osmane dhe më pas te partizanët komunistë të Luftës së Dytë Botërore.

Ky peizazh krijon një kontrast të fortë me dritat e ndërtesave më të reja, që shfaqen ndërsa mbrëmja e ngrohtë shndërrohet në natë.

Aty pranë ndodhet Kalaja e Tiranës, e njohur zyrtarisht si Fortesa e Justinianit.

Deri vonë, ajo ishte kryesisht një rrënojë bizantine e shekullit VI.

E ndërtuar fillimisht për të mbrojtur rrugët tregtare të Adriatikut, ku Lindja takohej me Perëndimin dhe Veriu me Jugun, zona u rikonstruktua në vitin 2018 dhe u hap si një pazar modern.

Më pas nis të eci përgjatë kalldrëmit të rrugës gjarpëruese Murat Toptani, një nga arteriet kryesore pedonale të qytetit. Sipër kokës varen vargje me drita të bardha.

Në të dyja anët shfaqen dyqane elegante, restorante dhe bare.

Nga tavolinat e mbushura me klientë të ulur në ambientet e jashtme dëgjohen të qeshura dhe biseda.

Një udhëtim pas në kohë

Gjatë tri ditëve të tjera në Tiranë, i kushtoj pak kohë njohjes me periudhën më të errët të historisë së Shqipërisë.

Nga viti 1944 deri në vitin 1990, vendi nuk ishte thjesht një shtet komunist.

Duke ndjekur një doktrinë të rreptë staliniste, pjesën më të madhe të kësaj periudhe Shqipëria e kaloi nën drejtimin e Enver Hoxhës.

Shtëpia me Gjethe, një vilë elegante me tulla e mbuluar nga gjelbërimi, tregon historinë e regjimit të Hoxhës dhe mënyrën se si funksiononte aparati i tij represiv.

Ndërtesa ishte përdorur nga policia sekrete e vendit për marrjen në pyetje të personave të dyshuar si armiq të shtetit, si dhe për mbikëqyrjen e shqiptarëve dhe të huajve.

E hapur si muze në vitin 2017, ajo tregon, dhomë pas dhome, mënyrën se si regjimi përdorte propagandën, survejimin dhe dhunën për të nënshtruar shoqërinë.

Hoxha shihte kërcënime kudo, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit.

Ai i shndërroi aleatët në kundërshtarë dhe ndoqi një politikë izolimi pothuajse total.

Paranoja e tij shfaqet qartë edhe në Bunk’Art 2, të cilin e vizitoj së bashku me udhërrëfyesin Maliqaj.

“Ideja ishte që qeveria të mund të fshihej këtu në rast sulmi”, shpjegoi ai.

Hoxha ndërtoi bunkerë në të gjithë vendin, përfshirë edhe nën rrugët e kryeqytetit.

Duke zbritur nëpër një seri shkallësh, eksploroj korridoret nëntokësore dhe dhjetëra dhoma.

Shumë prej tyre tregojnë histori të ngjashme me ato që mësova në Shtëpinë e Gjetheve.

Ndoshta pjesa më interesante janë kalimet që lidheshin me ministritë e qeverisë, si dhe dhomat që do të shërbenin si zyra dhe dhoma gjumi nëntokësore për ministrat.

Tirana, dikur ishte e zymtë, tani është moderne

Dal sërish në ajrin e pastër dhe Maliqaj më çon në një lagje që ka rëndësi të veçantë për të – lagjia ku ai është rritur.

Në një distancë të shkurtër në këmbë në jug të Sheshit Skënderbej, rrugët janë të rrethuara nga pallate të stilit brutalist sovjetik.

“Dikur kjo ishte e zymtë, tani është moderne”, me tha udhërrëfyesi.

Dhe ka të drejtë. Ambientet në katet përdhe janë shndërruar në disa prej galerive, butikëve dhe restoranteve më të frekuentuara të qytetit.

Të njëjtët të rinj optimistë që kam parë në të gjithë Tiranën mbushin këto ambiente, duke biseduar me kafe, gota vere dhe pjata me ushqim të sapo përgatitur.

Një histori e dy qyteteve. Të gjitha në një vend.

Një ndryshim që ia vlen të përjetohet, qoftë edhe përmes fluturimit nga Toronto në Tiranë.

Si të mbërrini

Shërbimi i ri sezonal i “Air Transat” drejt kryeqytetit shqiptar ndodh një herë në javë.

Fluturimet me avionët A330-200 nisen nga Aeroporti Ndërkombëtar Pearson të enjten dhe kthehen të premten, deri në fillim të tetorit.

Kjo është lidhja e vetme ajrore pa ndalesë ndërmjet Amerikës së Veriut dhe Shqipërisë.

Shërbimi “Club Class” ofron ulëse më të mëdha dhe më të rehatshme, hapësirë shtesë për këmbët, ushqim të përmirësuar, pije dhe verë pa pagesë, si dhe shërbim të nivelit të lartë.

Si të lëvizni

“Fine Travel Albania” ofron ture të nivelit të lartë në Shqipëri dhe kujdeset për të gjitha detajet e udhëtimit, nga transporti dhe akomodimi deri te restorantet, që nga momenti i mbërritjes deri në largim.

Agjencia organizon udhëtime edhe në vendet fqinje, si Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Kosova.

Ajo bashkëpunon me udhërrëfyes me përvojë që e njohin Shqipërinë nga majat e maleve, te vreshtat në shpatet e tyre dhe deri te plazhet më të bukura përgjatë bregdetit.

Shërbimi i ri direkt dhe javor i “Air Transat” ndërmjet Torontos dhe Tiranës funksionon çdo të enjte deri më 8 tetor 2026.

Ky është shërbimi i parë ajror pa ndalesë në histori ndërmjet Kanadasë dhe Shqipërisë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?