Mediu: Amerika bazohet në Kushtetutë, liri e të drejta dhe dje u provua si triumfoi demokracia

Lidhur me dhunën që shpërtheu dje në Kapitol të SHBA në prag të certifikimit të fitores së Presidentit të zgjedhur Joe Biden, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, dha gjykimin e tij, i pyetur nga Syri.TV.

Gazetari Ermal Rizaj e pyeti z. Mediu edhe sa e si mund të ndikojnë këto zhvillime në Shqipëri dhe në vende të tjera të botës.

“Ajo që ndodhi në SHBA dje është një gjë jashtëzakonisht e rëndë, – tha Mediu. – E para sepse u dhunua institucioni përfaqësues i popullit amerikan, që është Kapitoli, Kongresi Amerikan. E dyta, sepse pati katër viktima nga ajo që ndodhi dhe besoj se ajo që është e vlefshme edhe e padiskutueshme, është se dominoi vlera demokratike në SHBA:  Kongresi dhe Senati e vazhduan misionin e tyre për të vendosur sipas Kushtetutës se kush është Presidenti i SHBA, pavarësisht nga debati që kanë pasur në procesin zgjedhor.

Pra, tregoi që SHBA janë një demokraci funksionale. Unë kam pasur ditën e djeshme komunikime me miq të mi në Senat, edhe në Kongres, në Dhomën e Përfaqësuesve… E gjithë kjo sepse republikanët pajtohen në një qëndrim: ajo që ndodhi dje ishte një ngjarje e paprecedentë, dhunë ndaj institucioneve e papranueshme dhe çdo gjë duhet zgjidhur brenda logjikës kushtetuese, edhe nga pikëpamja e procesit zgjedhor, edhe nga pikëpamja e vendimarrjes që duhet të ketë Kongresi.

Rizaj: Duke parë atë që ndodhi në zgjedhjet presidenciale, a duhet pranuar ky rezultat i zgjedhjeve dhe a cenohet demokracia?

Mediu: Amerika ka parashikuar disa mënyra të kontestimit të procesit zgjedhor. E ka njëherë shtet pas shteti në gjykatat e këtyre shteteve dhe pastaj e ka në Gjykatën e Lartë. Të gjitha ankimimet u zhvilluan në këtë drejtim. Përveç asaj, Kolegjet elektorale të shteteve, të zgjedhurit si elektorë të vendeve , vendosën në mënyrë unanime se kush do të ishte President i SHBA, bazuar në atë rezultat të zgjedhjeve, të kontestueshëm apo të pakontestueshëm. E gjithë ajo histori ka marrë fund menjëherë pas vendimit të Kolegjit Elektoral. Të paktën ky ka qenë edhe diskursi i republikanëve pas zgjedhjeve për njohjen e rezultatit të zgjedhjeve dhe vazhduar më tej.

Rizaj: Të gjitha këto zhvillime, sa ndikojnë në vendet që janë “të varura” apo kanë një marrëdhënie të ngushtë me SHBA?

Mediu: SHBA kanë qenë ylli polar i të gjithëve për sa i përket demokracisë dhe çdo lloj debati irracional karshi zgjedhjeve i jep gjithmonë frymë njerëzve irracionalë në vende të ndryshme, njerëzve që priren për të manipuluar dhe kontrolluar zgjedhjet. Po shikojmë liderë të ndryshëm sot që fillojnë dhe zhvlerësojnë me qëndrimet dhe veprimet e tyre pikërisht raportet që janë shumë të rëndësishme; për Shqipërinë po flas, me SHBA. Mund të përdoren si justifikim, elemente të kësaj fushate apo këtyre debateve.

Unë mendoj se pavarësisht nga ç’ndodhi në Amerikë, Amerika është një shtet që bazohet në Kushtetutë, bazohet në liri dhe të drejta, bazohet në institucione demokratike dhe këtë e provoi edhe njëherë dje, që institucionet qenë ato që triumfuan, demokracia qe ajo që triumfoi.

SHKARKO APP