Mediu: Vizita e Ramës në Turqi, butafori elektorale, Shqipëria i rri ngushtë. Trump, në histori për sulmin ndaj Kongresit
Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu, i ftuar në studion e ABC komentoi edhe vizitën e kryeministrit Edi Rama në Turqi.
Gjatë bisedës me gazetarin Endri Xhafo, Mediu tha se qasja e kryeministrit Rama është e gabuar, duke e parë si një butafori elektorale, ndërsa shtoi se përgjegjësia e Ramës është t’i përgjigjet qytetarëve sipas Kushtetutës.
“Turqia e ka mbështetur Shqipërinë në çështje të rëndësishme, ajo çfarë më shqetëson është thelbi. Pra të flitet se do të bëhet një spital dhe kjo të shihet si suksesi më i madh, kur ndërkohë kemi privatë që e kanë bërë diçka të tillë.
Turqia ka një protokoll mikpritjeje dhe ceremonial të jashtëzakonshme. Ajo çfarë shoh është se në thelb është një lloj butaforie elektorale e kryeministrit Rama. Sot ka një konjukturë tjetër të çështjeve gjeopolitike në Ballkan. Edi Rama nuk është as Erdogani, as Merkel dhe as Trump. Duhet të dimë të sillemi për të parë që orientimi ynë është Euroatlantik.
7 herë i është refuzuar nga BE është Edi Rama, më thuaj përse e do Erdogani dhe nuk e do BE? Kur një njeri ka arritur dhe thotë unë jam Zot në Shqipëri përpiqet ta shtrije edhe në territore të tjera.
Domethënë Shqipëria i rri ngushtë Edi Ramës, patjetër që po edhe palltot i do të gjëra. Unë mendoj që një kryeministër ka përgjegjësi ndaj qytetarëve sipas Kushtetutës, ndërsa ky ka shkatërruar institucionet”, tha Mediu.
Sakaq ai shtoi se Shqipëria është rreshtuar kundër terrorizmit . “Për mua është e qartë që Edi Rama nuk do as Turqinë as Amerikën, as BE, por ai është i dashuruar me Edi Ramën në ekstrem”, tha më tej Mediu.
Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu foli në studion e ABC përballët gazetarit Endri Xhafo për sulmin e djeshëm në godinën e Kongresit gjatë protestave të zhvilluara të mërkurën në SHBA.
Ai u shpreh se pamjet ishin zhgënjyese, pasi nuk pritej nga askush që do të dhunohej institucioni i Kongresit Amerikan.
“Absolutisht ndjeja dhimbje dhe zhgënjim. Humbja e arsyes e Presidentit amerikan në detyrë solli atë që solli. Për fatin e keq do të shkojë në histori duke u mbajtur mend me atë ngjarje që ndodhi dhe jo për gjërat që mund t’i ketë bërë mirë”, u shpreh Mediu.
Gjatë bisedës në studio Mediu tha se një problem i madh është kur një lider arrin të bindja se ka të drejtë mbi të tjerët.
“Duhet kuptuar që Kushtetuta është një ligj që duhet zbatuar. Trump asnjëherë nuk u pranua si President në SHBA dhe për fatin e keq Amerika sot është një vend jashtëzakonisht i ndarë. Mund të themi që Trump ka pasur mbështetej të jashtëzakonshme, ashtu siç edhe pati Biden. Pasoja e parë e sjelljes mbas zgjedhjeve u pa në balotazhin e zhvilluar në Xhorxhia. Shtrimi i debatit në pikëpamje Kushtetuese nuk do të kishte asnjë problem dhe do të ishte më tepër pozitivë, ndërsa në këtë situatë 6 prej senatorëve u tërhoqën”, tha Mediu.
Teksa u ndal edhe tek zgjedhjet që pritet të mbahen në Shqipëri më 25 prill, i pyetur nga gazetari nëse do të shohim një revoltë nga PD dhe PR, referuar edhe protestave të zhvilluar në SHBA, ai theksoi se mbetet institucional, ndërsa shtoi se duhet sqaruar se problemi nuk është të humbësh zgjedhjet, por kur ato manipulohen.
“Kam qenë dhe ngelem institucional. Çështja është se Shqipëria ka pasur momente e veta të vështira. Edhe nëse humbasim zgjedhjet humbja është pjesë e politike, por çështja është nëse manipulohen zgjedhjet?
Pra unë kam bërë thirrjen që opozita të organizohet në çdo qenar votimi pasi është e vetmja mënyrë për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Presidenti i Amerikës nuk është thjesht administrator, por një autoritet moral dhe ajo që ndodhi është një hendek i madh që duhet mbyllur dhe kjo kërkon edhe një vizion por një qasje të re”, tha Mediu.
/abcnews.al/