Megaoperacioni antidrogë në Vlorë, mbërrijnë në gjykatë 9 prej të arrestuarve
Në Gjykatën e Shkallës së Parë të Vlorës kanë mbërritur 9 persona të arrestuar gjatë operacionit antidrogë në qytetin bregdetar.
Për t’u njohur me masën e sigurisë sot janë thirrur 5 efektivë të policisë, një i mitur dhe tre persona të tjerë që janë nën hetim.
Seanca gjyqësore ditën e sotme do të zhvillohen me dyer të mbyllura për shkak se personat janë nën hetim paraprak dhe duhet të ruhen të dhënat e tyre dhe sepse pjesë e seancës është edhe një i mitur. Edhe shpallja e vendimit do të bëhet me dyer të mbyllura nën prezencë të 9 shtetasve për të njëjtat arsye.
Gjyqtarja e çështjes është Elona Mihali, teksa do të zhvillohen tre seanca me nga tre të akuzuar.
Më 14 dhjetor policia zhvilloi një aksion të gjerë kundër kultivimit të lëndëve narkotike në fshatrat e lumit të Vlorës dhe përgjatë bregdetit. Nga ky operacion u arrestuar 27 persona, 10 të tjerë janë lënë në masën “Arrest shtëpie” dhe 4 i kanë shpëtuar prangave.
Policia gjithashtu sekuestroi edhe 120.9 kg kanabis sativa të gatshme për tu shitur dhe 12.144 rrënjë bimë.
Mes të arrestuarve ka policë, kryepleq fshatrash si dhe drejtues e efektivë të policisë.