Mërtiri për vëllezërit Budina: Publikimi i emrave nga kryeministri shkelje ligjore, u përdor politikisht
Publikimi i emrave të vëllezërve Budina si të infektuar me COVID-19 nga ana e kryeministrit ka shkaktuar shumë debat.
Vetë artistët u shprehën se nuk ishin në dijeni të një lajmi të tillë, madje për Ora neës Robert Budina tha se lajmi ishte “gatuar” në kuzhinën e kryeministrit.
Sociologu Ergys Mërtiri i ftuar në Ora Neës u shpreh se ky lajm u përdor politikisht nga kryeministri Rama. Sipas tij, publikimi i emrave të dy vëllezërve përbën një kundërvajtje ligjore pasi cënon anonimitetin e personave në fjalë.
Mërtiri: Ata nuk e mohojnë sepse nuk e dinë. Ata janë shëndoshë e mirë dhe nuk kanë asnjë shenjë. Ekziston e drejta jonë për të dyshuar tek vërtetësia e asaj që thotë shteti. Vetë vëllezërit Budina ka thënë se nuk i kanë dhënë asgjë me shkrim. Nëse ka vërtetë një procedurë duhet që tu jepet një shkresë zyrtare. Këta thjesht kanë pasur një pjesëtar nga familja të infektuar dhe kanë këmbëngulur që të bëjnë testimin. Nga gjithë pjesëtarët e familjes vetëm këta që i duhen Ramës kanë rezultuar të infektuar.
Ka një lloj selektiviteti pasi dhe pjesëtarë të tjerë të familjes kanë kërkuar që të testohen dhe nuk u janë bërë testet. Këta kanë nevojë që t’i nxjerrin këta të dy me COVID, nuk ka nevojë që të zbulojë vërtetën, ka një përpjekje për ta përdorur politikisht. Nëse këto do të ishin vërtetë të infektuar, për çfarë ka nevojë kryeministri Rama për të zbuluar emrat e tyre në publik. Këtu ka shkelur të drejtat e tyre për të pasur anonimitetin. Këta e bëjnë këtë, e cila është një vepër penale, nuk është thjesht e ndaluar me ligj por edhe dënohesh me ligj.
Sipas sociologut Mërtiri, ky lajm është përdorur për të shkëputur vëmendjen nga 15 kushtet që duhet të plotësojë Shqipëria për integrimin në BE duke qenë se të dyja u publikuan në të njëjtën ditë.
Mërtiri: Nga ana tjetër është i pari rast që kryeministri bën të ditur emrat. Kjo duket që është një instrumentalizim politik. E ka apo nuk e ka, duket që është e qëllimshme. Duke e logjikuar se çfarë përfitimesh mund të ketë kryeministri nga kjo gjë mund të them që kjo gjë ndodhi ditën kur BE nxori 15 kushtet për integrimin e Shqipërisë. Kjo ishte dhe një mënyrë për të spostuar vëmendjen nga ky lajm i cili ishte i rëndë për vendin. Po të shohësh gjatë gjithë kësaj periudhe qeveria ka qenë shumë aktive për të penguar mundësinë që të ketë protesta të vazhdueshme. Njerëz nga Shoqëria Civile janë shprehur se do të ketë protesta. Në këtë periudhë kemi dhe një shtim të çuditshëm të rasteve të infektuar me COVID-19. Gjatë këtyre ditëve, në rajonet e policisë janë thirrur pjesëtarë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit për t’iu vendosur gjoba për protestë të paligjshme në 17 maj.
Intervista në studio me gazetarin Sebastian Zonja, përgatiti për online Endi Mullaj