Mes konvikteve dhe qirave të larta, familjet bëjnë llogaritë për vitin e ri akademik
Rritja e qirave në Tiranë po e vështirëson gjithnjë e më shumë strehimin e studentëve, veçanërisht për familjet me të ardhura të ulëta. Për shumë prindër, pagesa e një apartamenti me qira është e papërballueshme, ndaj konviktet mbeten alternativa më ekonomike.
Megjithatë, numri i vendeve është shumë i kufizuar. Nga rreth 75 mijë studentë që pritet të ndjekin studimet këtë vit, konviktet publike dhe private në Tiranë mund të strehojnë vetëm rreth 7% të tyre. Kjo ka krijuar radhë dhe pritje të gjata për familjet që kërkojnë një vend.
Ndërkohë, qiraja mesatare e një apartamenti në Tiranë arrin mbi 52 mijë lekë në muaj, ndërsa shpenzimet mujore në konvikt janë shumë më të ulëta. Për këtë arsye, kërkesa për konvikte është e lartë, por kapacitetet nuk mjaftojnë.
Për familjet që përballen me papunësinë apo ndihmën ekonomike, kjo situatë e bën edhe më të vështirë mundësinë për t’i mbështetur fëmijët në shkollim. Për shumë prej tyre, një vend në konvikt nuk është thjesht zgjedhje ekonomike, por domosdoshmëri.
KOHA JONË SONDAZH

