Mes pishave të Bukanikut, “Te Agai” po shkruan historinë e tij të suksesit
Mes gjelbërimit të pafund dhe ajrit të pastër të malit Bukanik, në zemër të Gjinarit, ndodhet një nga destinacionet që po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë. Agroturizmi “Te Agai” nuk është thjesht një vend ku shërbehet ushqim tradicional, por një histori përkushtimi, pune dhe dashurie për vendlindjen.
Pas këtij agroturizmi qëndrojnë Ela dhe Bujari, të cilët prej vitesh ushqyen të njëjtën ëndërr: të krijonin një hapësirë ku natyra, tradita dhe mikpritja të bashkëjetonin në harmoni. Sot, ajo ëndërr është bërë realitet.
I vendosur rrëzë malit Bukanik, “Te Agai” u ofron vizitorëve gatime tradicionale të zonës, produkte të freskëta dhe një panoramë mbresëlënëse që e bën çdo vizitë të veçantë. Zhurma e qytetit zëvendësohet nga qetësia e natyrës, ndërsa aroma e pishave të egra dhe freskia karakteristike e Gjinarit krijojnë një përvojë të paharrueshme.
Por zhvillimi i këtij destinacioni nuk ndalet këtu. Në planet e afërta është zgjerimi me ambiente akomoduese, duke u dhënë mundësi turistëve të qëndrojnë më gjatë dhe të shijojnë jo vetëm kulinarinë e zonës, por edhe natyrën e pasur dhe traditat lokale.
“Te Agai” është dëshmi se kur pasioni dhe puna bashkohen, mund të lindin histori suksesi që i japin jetë turizmit lokal dhe promovojnë bukuritë e Gjinarit e të gjithë Elbasanit. Miranda Sadiku

KOHA JONË SONDAZH

