Mesazh ngushëllimi nga Vjosa Osmani për Artur Zhejin: Humbje për jetën intelektuale
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dërguar një mesazh ngushëllimi për familjen e gazetarit dhe analistit të njohur Artur Zheji, i cili u nda papritur nga jeta një ditë më parë.
Në mesazhin e saj, Osmani e cilëson Zhejin si një figurë të pazëvendësueshme të jetës publike, mediatike dhe intelektuale në Shqipëri, duke e përshkruar si “një zë të guximshëm, një mendimtar të lirë dhe një penë të shquar të gazetarisë shqiptare”.
Presidentja e Kosovës theksoi gjithashtu kontributin e Zhejit në dokumentimin e ngjarjeve tragjike dhe dhimbjeve të shkaktuara nga regjimi gjenocidal serb në Kosovë, duke vlerësuar rolin e tij në sensibilizimin e opinionit publik mbi plagët e popullit kosovar.
Mesazhi i presidentes Vjosa Osmani:
“Me dhimbje të thellë pranuam lajmin e ndarjes nga jeta të gazetarit dhe analistit të njohur, Artur Zheji. Ai u shua papritur, duke lënë pas një boshllëk të madh në jetën publike, mediatike dhe intelektuale të vendit. Artur Zheji do të kujtohet si një zë i guximshëm, një mendimtar i lirë dhe një penë e shquar e gazetarisë shqiptare.
Ai shkroi edhe për dhimbjet dhe shkatërrimet që kishte lënë pas regjimi gjenocidal i Serbisë në Kosovë. Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe komunitetit medial. Qoftë i përjetshëm kujtimi për jetën dhe veprën e Artur Zhejit!”
KOHA JONË SONDAZH

