Mesazhi tradicional i Pashkëve përcjell shpresë tek besimtarët
Në mesazhin e tij të përvitshëm, në prag të Pashkëve, që mbahen në mesnatë dhe që shënon ringjalljen e Krishtit, arqipeshkvi i Shkodër-Pultit, imzot Angelo Massafra, u kërkoi besimtarëve t’a mirëpresin ngjalljen e Krishtit, si i vetmi shpëtimtar dhe mbështetje në përballjen me sfidat e jetës.
“Është një mesazh paqeje dhe shprese, që dëshiroj t’ju mbërrijë të gjithëve ju, familjeve tuaja, si edhe personave tuaj të shtrenjtë që keni larg, që gjenden në situata të dhimbshme dhe të trishta: të sëmurë, të burgosur, të varfër dhe nevojtarë.Mesazh paqeje në një botë të copëtuar nga lufta dhe të pushtuar nga fantazma e një konflikti të mundshëm në shkallë të gjerë. Një mesazh shprese që na ndihmon ta lexojmë të tashmen me sytë e fesë dhe që na largon çdo frikë për të ardhmen”, theksoi ai.
Bota është e mbushur me lajmet që vijnë nga zonat e nxehta të luftës por edhe nga vendi ku shumë familje vuajnë në varfëri. Arqipeshkvi Massafra tha se kjo dëshmon largimin e njeriut nga zoti i tij.
“Duhet të pranojmë me përulësi se bota jonë është aq larg nga një shembull i tillë përsosmërie dhe shkaku i çdo të keqeje të madhe qëndron pikërisht në mosimitimin e Mësuesit dhe të Zotit tonë. Po përjetojmë, sot si asnjëherë më parë, se sa e vërtetë është që, pasi e kemi hequr Zotin nga bota jonë, nga mendimet tona dhe nga zgjedhjet që duhen bërë çdo ditë në sferën personale, politike dhe shoqërore, gjithçka priremi që ta shohim zi”.
Duke përfunduar mesazhin e tij kushtuar Pashkëve, arqipeshkvi masafra u kërkoi besimtarëve që të mbajnë gjallë shpresën dhe të gëzojnë me dritën e Pashkës së Krishtit.
“Ju uroj të gjithëve që ta përjetoni dritën shkëlqyese të Pashkës së Krishtit, gëzimin e Tij dhe aftësinë për të qenë “pasqyra”, që e reflektoni atë në botën ku jetoni, në familjen tuaj, në personat tuaj më të shtrenjtë, në miqësitë tuaja, në vendet tuaja të punës dhe në ato në të cilat përjetohet vuajtja dhe dhimbja fizike ose morale. Gëzuar Pashkën, vëllezër dhe motra katolikë dhe të krishterë. Ju bekoj me gjithë zemër. Krishti u ngjall, Aleluja. Vërtet u ngjall, Aleluja! Gëzuar!”/VOA/