Mësuesit ndihmës, Shahini: Fëmijët me aftësi të kufizuar pjesë e sistemit arsimor
Për t’i ardhur në ndihmë fëmijëve me aftësi të kufizuar në shkolla, numri i mësuesve ndihmës do të shkojë deri në 1 mijë ç’ka ka ndikuar edhe në sigurinë dhe emancipimin e familjeve të cilat nuk kishin menduar se fëmijët e tyre do të merrnin kujdesin e duhur dhe përmirësonin arritjet e tyre shkollore. Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini pas ankesave të drejtuar tek platforma e bashkëqeverisjes të disa mësuesve lidhur me ecurinë e mësuesve ndihmës në sistemin arsimor parauniversitar, u thirr në interpelancë ku ishin të pranishëm edhe punonjës të shërbimit psiko-social.
Shahini tha se nevoja për rritjen e numrit të mësuesve ndihmës vjen si pasojë edhe e rritjes së numrit të fëmijëve me aftësi të kufizuar. “Unë jam shumë e lumtur që kur e mora ministrinë e Arsimit në udhëheqësi, në kishim një numër shumë të madh të mësuesve ndihmës në sistem. Pra kur paraardhësja ime erdhi në ministrinë e Arsimit, ajo gjeti zero numër ndihmës në sistem. Rrjedhimisht, fëmijët me aftësi të kufizuar që ishin nxënës në shkollat tona nuk kishin ndihmë shtesë për të arritur potencialin e tyre maksimal brenda sistemit të arsimit. Nga viti 2013 ku ka pasur zero mësues ndihmës, sot kemi 930 mësues ndihmës në sistem me idenë që do e rrisim numrin vazhdimisht. Kjo ka ndikuar gjithashtu që të rritet numri i nxënësve me aftësi të kufizuar, i kemi sot në shkollat tona. Pra, nga 3200 që kemi pasur atëherë, sot kemi diku 4400 nxënës me aftësi të kufizuara. Pra, një rol shtesë që ka luajtur kjo politikë është një rol emancipues për familjet. Familjet më parë kanë menduar se fëmijët me aftësi të kufizuar nuk mund të përmirësojnë arritjet e tyre akademike, sot i kanë vendosur fëmijët e tyre pranë shkollave dhe me ndihmën tuaj ata janë duke bërë progres mjaftueshëm mirë”, -sqaroi Shahini.
Ajo tha se statistikisht, një mësues ndihmës për 4 apo 5 nxënës është në rregull por problemi sipas saj qëndron për shkak se fëmijët me aftësi të kufizuar mund ti përkasin klasave të ndryshme, andaj edhe bëhet i pamundur qëndrimi pranë tyre gjatë çdo ore mësimi. “Sot që po flasim kemi diku 1 mësues ndihmës për 4 apo 5 nxënës. Kjo statistikisht qëndron shumë mirë për shkak se kemi një numër të madh të mësuesve ndihmës për një numër të caktuar të nxënësve më aftësi të kufizuar por në praktikë jemi të vetëdijshëm që kjo nuk është gjithmonë siç duhet e zbatuar në praktikë për shkak se një mësues ndihmës në shkollë që mund të këtë 4 nxënës, ata mund të jenë të klasave të ndryshme dhe mësuesi nuk mund t’iu qëndrojë gjithmonë pranë gjatë çdo ore secilit nxënës. Kështu që politika e mësuesve ndihmës në sistem do të jetë duke e shtuar këtë numër të mësuesve ndihmës. Sivjet kemi 60 mësues ndihmës shtesë që të arrijmë 1 mijë mësues dhe do të bëjmë planin për rritjen e mësuesve ndihmës sipas nevojave të shkollave të ndryshme edhe në vitet në vijim”, -u shpreh Shahini.