Meta i kërkon sqarime Spartak Brahos

 

Spartak Braho duket se ka vizituar në spital deputetin Mark Frroku, që akuzohet për vrasje. Pas raportimit të këtij lajmi në disa media, ka reaguar kryeparlamentari Ilir Meta.

Ai i ka kërkuar sqarime Brahos për këtë takim. Të hetohet nëse ka ndodhur takimi Braho-Frroku. Meta ka kërkuar nga Braho që të dalë dhe të sqarojë publikisht opinionin për të vërtetën. Ilir Meta është njohur nëpërmjet mediave për këtë takim”, thuhet në një deklaratë të shefit të kabinetit të Metës. Ky i fundit ndërkohë, ka kërkuar nga Ministria e Drejtiësisë, ajo e Brendshme dhe Prokuroria, që të hetojnë nëse ky takim ka ndodhur dhe çfarë është thënë në të.

Reagim i Drejtorit të Kabinetit të Kryetarit të Kuvendit, z. Sokol Dervishaj

"Pas lajmit të publikuar në disa media sipas të cilave deputeti Spartak Braho është takuar me deputetin Mark Frroku në një spital privat në Tiranë, Drejtori i Kabinetit të Kryetarit të Kuvendit, z. Sokol Dervishaj përmes një deklarate për media sqaron qëndrimin e z. Ilir Meta lidhur me këtë çështje.

Z. Dervishaj sqaron se sot paradite, pasi është njohur me lajmin në disa media se sipas burimeve të tyre deputeti Spartak Braho është takuar me deputetin Mark Frroku në një spital privat në Tiranë, Kryetari i Kuvendit i ka kërkuar deputetit Braho të sqarojë publikisht opinionin publik lidhur me të vërtetën.

Po kështu, sot paradite Kryetari i Kuvendit i ka kërkuar Ministrit të Brendshëm, z. Saimir Tahiri, Ministrit të Drejtësisë, z. Nasip Naço dhe Prokurorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla të verifikojnë e të hetojnë sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi nëse ky takim i pretenduar nga media ka ndodhur.

Drejtori i Kabinetit të Kryetarit të Kuvendit thekson se Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta nënvizon me forcë se deputetët janë të parët që duhet të respektojnë ligjet e vendit dhe vendimet e gjykatave, aq më tepër kur kemi të bëjmë me një deputet që është Kryetar i Komisionit parlamentar për Sigurinë Kombëtare.

Nëse nga verifikimet dhe hetimet do të rezultojë e vërtetë se ky takim ka ndodhur, Kryetari i Kuvendit do të bëjë publik qëndrimin e tij duke qenë i bindur se asnjë deputet, cilido qoftë ai, nuk ka të drejtë të  sfidojë ligjet dhe vendimet e gjykatave".

 

 

SHKARKO APP