Meta: Mbështesim MAS për futjen e shahut si lëndë mësimore

 

Aktivitetet kushtuar ditës së Europës kanë bërë bashkë sot në qytetin e Beratit kreun e Kuvendit Ilir Meta dhe Ministren e Integrimit Klajda Gjosha.

Meta vizitoi panairin me produkte artizanale, ndërsa i shoqëruar nga mjeshtri i shahut Fatos Muca, mori pjesë në stimulanten e shahut, duke ndjekur nga afër garën mes nxënësve të shkollave.

“Ka ardhur koha për ripërtëritjen e këtij sporti, u shpreh Meta në fjalën e tij, dhe veçanërisht do të mbështesim qytetin e Beratit, i cili ka pasur tradita në këtë sport”.

Kreu i LSI-së tha se mbështet iniciativën e Ministrisë së Arsimit për ta përfshirë shahun në proçesin mësimor.

Ndërsa Ministrja e Integrimit Gjosha, ndërsa përmendi vlerat e qytetit të Beratit, tha se integrimi nuk fillon vetëm nga Tirana, por nga të gjitha qytetet e vendit.

“Me anë të promovimit të sotëm të vlerave të traditës së këtij qyteti, ai do të ecë përpara. Integrimi nuk fillon vetëm nga Tirana, por nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, që kanë vlera të bartura.”

Aktivitetet për ditën e Europës startuan në Berat, në pedonalen e qytetit, duke çelur kështu zyrtarisht eventet në kuadër të kësaj dite në Shqipëri./Oranews

SHKARKO APP