“Migjeni” çel suksesshëm sezonin me komedinë e zezë, “Krimi është i imi”
Albert Vataj
“Krimi është i imi”, vepër e George Bell dhe Louis Verneui, me regji të Driada Dervishit, ka shënuar jo vetëm çeljen e sezonit të Teatrit “Migjeni”, por edhe një nga paraqitjet ekselente dhe pritjet e pashembullta të publikut shkodran, në dy netë të suksesshme, që do të mbyll siparin sonte më 15 shtator 2024.
A na duhet një vrasje për t’u bërë të famshëm, kjo premisë e veçantë udhëheq lojën dhe komunikimin me publikun, përmes një udhëtimi komik dhe të mbushur me tension në komedinë “Krimi është i imi”, që sfidoi si premierë në Teatrin “Migjeni”, një bashkëpunim i këtij institucioni me histori mbi 60-vjeçare, me Bashkinë Shkodër.
Një superproduksion i Teatrit “Migjeni”. Një sipërparaqitje e një kastë aktorësh që e katapultuan lart lojën dhe rrëmbimin e publikut, me 11 karaktere komikë, sensualitet, muzikë live që të mbetet në mendje, kostume të mrekullueshme, një skenografi e ndërtuar si një teatër brenda teatrit! – të gjitha këto në një komedi të zezë e cila, edhe pse i përket viteve ’30 të shekullit të kaluar, përmbajtja e saj është mjaft aktuale edhe në kohën që po jetojmë.
“Krimi është i imi” sjell në skenë disa nga emrat më të njohur dhe të dashur të teatrit shqiptar, duke përfshirë Besnik Çinari, Olta Daku, Neritan Liçaj dhe Rudina Dembacaj, të cilët janë bashkuar trupës së Teatrit Migjeni për këtë prodhim special. Pjesë e kësaj arritje të Teatrit “Migjeni” është padyshim edhe loja e aktorëve: Linda Jarani, Jozef Shiroka, Pjerin Vlashi, Nikolin Ferketa, Romir Zalla, Merita Smaja dhe Fritz Selmani, të cilët edhe në këtë paraqitje, arritën të sjellin jo vetëm një garanci e profesionalizmit të interpretimit si komunikim me publikun, por të dëshmojnë se Shkodra dhe Teatri “Migjeni” kanë patur dhe vijojnë të kenë artistë që e nderojnë dhe e përfaqësojnë denjësisht këtë qytet dhe teatër traditash të pakonkurrueshme në artin tonë skenik .
Nuk do të ishte i mundur ky sukses pa punën dhe kontributin në këtë superparaqitje, të atyre që janë histori e Teatrit “Migjeni”, të atyre që janë shpirti dhe jeta e këtij tempulli, kësisoj, Astrit Fani shërben si asistent-regjisori, ndërsa skenografinë e ka realizuar Divni Gushta dhe kostumografinë Desantila Lika. Muzika është kompozuar nga Zef Çoba, ndërsa fotografitë janë realizuar nga Iden Temali dhe videot nga Drabe J. Amiri.
Pas dy netëve të suksesshme, komedia ‘’Krimi është imi’’, ka sonte natën finale, mbrëmjen e ballafaqimit me publikun shkodranë dhe jo vetëm që e ka pritur dhe e ka përcjellë këtë shfaqje si një ngjarje artistike të qytetit.