Militanti i majtë sulmon me karrige gjatë takimit të Bashës. Reagon PD

 

Një incident ka ndodhur sot në Ersekë gjatë prezantimit të kandidatit të Partisë Demokratike nga kreu i PD-së, Lulzim Basha. News 24 citon kreun e degës lokale të PD-së dhe kandidatin e djathtë, Viktor Duro, i cili thotë se një pjesëmarrës në takim ka tentuar të qëllojë me karrige Bashën. Karrigia ka goditur një tjetër person, i cili ndodhej afër kreut të PD-së.

Duro tha për “News 24” se qytetari i lënduar nga sulmi është dërguar menjëherë në spital. “Ky akt është një tentativë në nisje të fushatës”, tha kreu i PD-së së Kolonjës Duro.

Mësohet se policia e Ersekës ka ndaluar personin. Ai quhet Suel Lico, ndërsa personi i plagosur Fuat Mydini. Sipas Viktor Duros, personi që kreu sulmin është një mbështetës i së majtës.

Pas kësaj ngjarjeje ka reaguar selia blu që thotë se;“dënon me ashpërsi dhunën e orkestruar  që u ushtrua sot në nisje të aktivitetit për prezantimin e kandidatit të opozitës  në Kolonjë, ku një person i njohur për lidhjet e tij me pushtetin,  hodhi një karrige në drejtim të qytetarëve të mbledhur në aktivitet duke plagosur zotin  Fuat Ndini 65 vjec. Zoti Ndini u shoqërua menjëherë në spital për të marrë ndihmën mjeksore për shkak të plagëve të rënda në kokë. 

Mos distancimi ndaj këtij sulmi nxjerr zbuluar autorët dhe porositësit që janë të njëjtët që kanë frymëzuar akte dhune edhe në qytete të tjera kundër opozitës. Ky është tregues i panikut dhe frikës që ka kapur dyshen Rama-Meta nga gjykimi popullor me votë në 21 qershor.

Partia Demokratike shpreh mirënjohjen ndaj anëtarëve, simpatizantëve dhe qytetarëve shqiptarë që kanë vërshuar masivisht  në takimet prezantuese të kandidatëve tanë. Ne i sigurojmë ata dhe mbarë qytetarët shqiptarë se Partia Demokratike  do të vazhdojë dhe intensifikojë fushatën e saj dinjitoze, qytetare dhe demokratike.

 

Partia Demokratike paralajmëron dyshen Rama-Meta se cdo përpjekje  apo presion kriminal i frymëzuar dhe i paguar nga kjo dyshe,  nuk do të arrijë kurrë të  mposhtë vendosmërinë plebishitare të qytetarëve  shqiptarë për ti dhënë gjykimin e merituar, por  vetëm do ta shtojë padurimin e shqiptarëve të bashkuar për të  larguar një orë e më parë oligarkinë  Rama-Meta nga keqqeverisja shkaterrimtare për Shqipërinë dhe shqiptarët” – mbyllet deklarata e PD.

SHKARKO APP