Mimi Kodheli: Mos ikni nga Shqipëria se andej punohet dhe nuk ka kafene

Ish-ministrja e Mbrojtjes, aktualisht kryetare e Komisionit të Jashtëm në Kuvend, Mimi Kodheli, kohët e fundit po shfaqet me deklarata në studiot televizive, duke u bërë subjekt memesh në rrjetet sociale.

Këtë ka bërë edhe mëngjesin e ditës së sotme në televizionin `Ora`.

Kodheli iu ka kërkuar të rinjve që të mos braktisin vendin e tyre, se në vendet ku shkojnë ata nuk ka kafene e shoqëri dhe vetëm punohet, kurse në Shqipëri ka të tilla sa të duash.

Kodheli `harroi` që të thoshte se rinia shqiptare po braktis vendin pikërisht për faktin, se këtu nuk ka punë dhe jeta iu shkon rrugëve dhe kafeneve.

“Shqipëria është vendi më i bukur ku mund të rrinë e të jetojnë të rinjtë. Jashtë je një robot, punë, shtëpi dhe gjumë. Nuk ka kafe, miq dhe shokë, ka vetëm punë. Cilësia e jetesës është më e mirë apo shërbimet publike, por nuk gjeni një vend që ka një orë larg liqenin, një orë larg detin apo malin, një hap larg kafen apo shokun tuaj, nuk ka vend më të dashur se Shqipëria. Ne kemi një mënyrë të jetuari që shumëçka nga bota perëndimore na rri ngushtë dhe ndryshe. Mendoj që ky është një vend që ia vlen mundi”, ka deklaruar Kodheli.

SHKARKO APP