Mimoza Dervishi: Në 15 vjetorin e vdekjes së regjisorit Pandi Stillu
(Botuar me 1 Qershor 1995 në KOHA JONE)
Pandi Stillu përgatiti një plejadë të shkëlqyer artistësh me N. Frashërin, M. Logorecin, M. Popin, I. Shytin, K. Roshin, M. Xhepën, M. Kallamatën, V. Manushin, V. Gjokën etj.
Nderim për kryeregjisorin e Teatrit Shqiptar
Në oborrin e Teatrit Popullor, për çdo artist të vdekur ka një bredh. Bredhi i parë është i regjisorit Pandi Stillu. Sot mbushen 15 vjet nga vdekja e tij. Dje në mesditë, artistët e Teatrit Popullor nderuan me respekt kujtimin e tij. Në fjalën e hapjes së ceremonisë përkujtimore, Vangjush Furrxhi tha: “Ai vendoset në panteonin e njerëzve të shquar. Pandi Stillu ishte doktor i shpirtrave artistikë”.
Pandi Stillu, rrjedhur nga një familje zanatçinjsh, në fillim punon si rrobaqepës. Më 1937 hap një atelie për pikturën e cila më vonë u shndërrua në një qendër të vërtetë kulturore. Ai vetë, një nga drejtuesit e kësaj shtëpie të kulturës, siç u quajt më vonë, u bë promotor i lëvizjes kulturore të vendit. Më 1942, studion në Akademinë e Arteve të Bukura Bukuresht, Rumani. Mbasi mbaron studimet aktivizohet si aktor në Teatrin Nacion të Rumanisë. Ndjenja patriotike e kthen në Atdhe më 1946. Punon si regjisor në Teatrin Popullor, duke vënë në skenë rreth 33 premiera ku përmendim “Qypi me flori”, “Toka Jonë”, “Shtatë Shaljanët”, “Borgjezi fisnik”, “Mbreti Lir”, “Karnavalet e Korçës” etj. Ka meritën e vënies në skenë të veprës së parë në Teatrin “Aleksandër Moisiu”Durrës, si edhe të vënies së operës së parë shqiptare “Mrika”. Ka punuar dhe ka përgatitur një plejadë të shkëlqyer artistësh me Naim Frashërin, Marie Logorecin, Mihal Popin, Violeta Manushin, Margarita Xhepën, Marika Kallamatën, Kadri Roshin, Ilia Shytin, që më pas u bënë shtylla e Teatrit Shqiptar. Në kujtimet e kolegëve, miqve, shokëve, ai u cilësua si kryeregjisori i teatrit shqiptar…
Vangjush Furrxhi: Që në hapat e parë të Teatrit Popullor u mundua të vinte në skenë, pjesë kombëtare. Ka meritën se na la veprat më të mira dramatike. Mendoj që dhoma – bibliotekë ku ai punoi të kthehet në dhomë muze.
Violeta Manushi: Nga 30 e ca premiera që ai vuri në skenë, kam pasur rast të punoj me të në 20 të tilla. Nuk pushonte kurrë, por edhe nuk bërtiste kurrë. “Pse të prishim gojë – thoshte ai, ne jemi shokë, bëjmë artin bashkë”. Ai ishte regjisor, piktor, skenograf. Ishte babai i gjithshkaje këtu.
Drita Agolli: Pandi ishte dinamik, pasionant, shpirtgjerë, human. Nuk duhet të harrojmë kondidat në të cilat ai punoi. Më ka ndihmua në hapat e parë të karrierës sime. Sa herë thosha për diçka “s’e bëj dot”ai më kthehej “tani do e bësh”. I dedikohem shumë Pandi Stillos. Për ne ai është monument.
Margarita Xhepa: Ai ishte pionierë i regjisurës së Teatrit Popullor. Vitet 50-60 – njihen si vitet e zhvillimit të hovshëm të teatrit tonë. Atëherë unë vija nga grupet diletante dhe ishte Pandi që më zgjati dorën, më hapi derën. Ai ishte intuitiv, por mbi të gjitha na bëri ne të besonim tek vetja. Ai angazhonte me guxim të rinjtë. Ishte mjeshtër në ndarjen e roleve. Regjisor, që i ndihmonte dhe respektonte të gjithë njëlloj. Ishte i pari që më dha rol kryesor.
Lazër Filipi: Ai punonte pa zhurmë, pa britma, çonte aktorin tek roli pa e kuptuar. Pandi Stillu nuk u bë regjisor i mirë rastësisht. Ai studioi në teatrin rumun, një nga më të mirët e Ballkanit, dhe gjithçka e demonstroi në teatrin tonë. Teoricienët e mëdhenj thonë: ndarja e roleve është gjysma e punës. Ai këtë e bënte shkëlqyer. Pandi dorëzoi një stafetë me aktorë të talentuar.
Agim Zajmi: Njerëzit më të nderuar janë sot në këtë sallë. S’jemi marrë me politikë, gjithmonë me art. Prandaj periudha e Pandit ishte periudhë e artë. Jam i lumtur që kam pasur fat të punoj me një njeri të shkëlqyer si ai. Ne sot, jemi familja e Pandit, por më vjen keq se kjo familje duhet të ishte shumë më e madhe.
Sulejman Pitarka: Në paça bërë gjëra të mira u jam borxhli të gjithëve e domosdo Pandit. Ai dha pa kursim gjithë sa pati. Ishte i realizmit dhe konkret. Mua më dha shumë. Sot të gjithë jemi trashëgimtarët e tij.
Ndrek Shkjezi: Mungojnë shumë këtu. Tani jemi bërë kashtë e koqe, klane-klane. Ai na ka dashur dhe e kemi dashur. Kjo është fisnikëri.
Skënder Selimi (Balet maestër): Pandin e kishim figurë qendrore. Shqiptari e ka në gjak pozën, ai s’e kishte. Është njeriu i parë i madh i Teatrit Kombëtar.
Në ceremoninë përkujtimore shumë bashkëkolegë të Pandi Stillit nuk rrojnë më, të tjerët, sot artistë të vjetër ishin aty. Mungonin aktorët e rinj që ndoshta s’e kanë arritur atë, por që kanë parë apo rivënë në skenë veprat që ai la. Fjala e fundit e atyre që u përkulën me nderim mbi veprën e kryeregjisorit të Teatrit Shqiptar ishte: i përjetshëm kujtimi i tij. Popujt e kulturuar i respektojnë në cdo kohë artistët e tyre.
Mimoza Dervishi