“Mimoza llastica” dhuron shtretër spitalorë dhe autoambulanca për Ministrinë e Shëndetësisë
Aktorja shqiptare Zhaklina Dhimojani Blättler vazhdon ti vijë në ndihmë institucioneve shqiptare për përballimin e situatës të krijuar nga Covid-19. Kësaj here ajo ka dhuruar 40 shtretër dhe orendi të tjera spitalore, autoambulancë, gjashtë furgona, dy zjarrfikëse dhe pajisje informatike për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Mbrojtjes.
Ky gjest është vlerësuar shumë nga Ambasada Shqiptare në Zvicër. Përmes Këshilltarit të saj në Bernë, z.Valon Gashi, Ambasada shprehu mirënjohjen për familjen Blättler, “e cila gjatë këtyre viteve nuk ka reshtur së ndihmuari institucione të ndryshme shqiptare dhe njëkohësisht vijon të kontribuojë në promovimin e artit e kulturës shqiptare në Zvicër”.
Zhaklina u shpreh se prej kohësh ka kontribuar për të ndihmuar Himarën dhe Shqipërinë . Gjithashtu ajo falenderoi bashkëshortin e saj Stefan Blättler i cili nuk ka kursyer mbështetjen e tij për këto nisma humanitare.
Kujtojmë se në shtator të këtij viti familja Blättler dhuroi respiratorë për Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”për të ndihmuar pacientët e infektuar nga Covid-19.
Zhaklina Dhimojani Blättler është e njohur për rolet e saj në filmat e para viteve ’90. Një ndër rolet më të spikatur të aktores është dhe “Mimoza llastica”.
Zhaklina ka jetuar prej thuajse 30 vitesh në Itali e Zvicër.
Në Bernë, është drejtuese e Sektorit të Marrëdhënieve me Ballkanin pranë “PPCE”, zyrë konsulence e fokusuar në çështjet e sigurisë publike dhe private, kulturës dhe turizmit.
Që nga zgjedhjet e qershorit 2019, Znj. Dhimojani Blättler është anëtare e Këshillit Bashkiak të Himarës dhe kryetare e Aleancës së Grave Këshilltare Bashkiake. Pas përvojës së saj të gjatë jashtë vendit ajo dëshiron të kontribuojë për zhvillimin e Bregut dhe gjithë Shqipërisë.