Mimoza Manxhari: 7- Marsi, një datë festive, për mësimin dhe mësuesin

Nga Mimoza Manxhari:

Ndërsa nderoj me respekt të thellë të gjithë ata edukatorë e mësues, që ndezën dëshira dhe kultivuan vlera njerëzore tek unë, ky 7- Mars ngacmoi një tjetër reflektim, të cilin kam dëshirë ta ndaj, ashtu si më vjen, me ju mësuesit e mi të respektuar, studentët e mi të dashur, miq e kolegë.

Kultivimin tek kushdo i përdorimit gjatë gjithë jetës, të aftësisë për kreativitet dhe imagjinatë, e konsideroj si recetën më të mirë për suksesin, mirëqenien, por dhe lumturinë.
Unë ia kam dedikur jetën mësimit dhe kërkimit, gjë që e bëj me shumë dashuri.

Mësimdhënien e kam përqafuar si mision, që nuk kufizohet thjesht në transmetim të njohurive, por mbi të gjitha të formojë qenie njerëzore, vitale, të denja, e dinamike, që zhvillojnë dhe jetojnë në harmoni me natyrën.

Të gjithë ne duhet të ndihmojmë të rinjtë, të kultivojnë jetë të lumtur dhe të përmbushur, por dhe të bëjnë të lumtur ata që kanë pranë.
Fëmijët dhe nxënësit e sotëm, po jetojnë në një kohë të trazuar. Dramat familjare janë shtuar Prindërit nuk komunikojnë me njëri-tjetrin dhe nuk e kanë të lehtë të komunikojnë me fëmijët e tyre. Ka një lloj vetmie, një lloj vakumi tek fëmijët, të cilët përpiqen ta mbushin me videolojëra, filma, televizion, ushqim, drogë e plot si këto.

Kjo gjendje e rënduar psikoemocionale e të rinjve e bën dhe punën tonë si mësimdhënës të vështirë.

Sado të përpiqesh të bësh më të mirën, ambienti, familja dhe kolegët me të cilët punojmë, kanë po ashtu vështirësitë e tyre. Nëse ne si mësues, bashkë me kolegët tanë, nuk jemi të lumtur, si mund të presim që fëmijët të jenë të lumtur?

Studimet mbi arsimin përqëndrohen zakonisht në mbledhjen e provave, për të vërtetuar ose hedhur poshtë përfitimet ose efektet e synuara të programeve, politikave dhe praktikave. Vetëm kaq!
Suksesin e nxënies sot, masivisht e përcaktojnë rezultatet e testimit sasior, i cili po korrupton në mënyrë alarmante vetë arsimin.
Një edukim i orientuar tek testet, shkakton dëme në mirëqenien fizike dhe psikologjike të nxënësve, prindërve dhe mësuesve. Një edukim i tillë, nuk krijon qytetarë që mund të mbrojnë demokracinë e as nuk prodhon individë krijues dhe novatorë, të nevojshëm në ekonominë moderne. Ai po ashtu, nuk e redukton pabarazinë dhe në fakt, veç se e përjetëson atë.
Një arsimim i tillë, jo vetëm shpërfill dimensionet sociale, morale dhe estetike të mësimdhënies dhe të të nxënit, por bën edhe të humbasin arritje të konsiderueshme intelektuale, që nuk janë lehtësisht të matshme.

Prirja që po karakterizon dhe vetë kurrikulat nëpër shkolla, ka bërë që ato të shihen si vendi që të çertifikon mundësinë për t’u përfshirë në tregun e punës, duke të ofruar në një farë mënyre ‘ një të ashtuquajtur vlerë, që të mundëson nesër para’. Një prirje e tillë, tregon shkallën e madhe të shndërimit të mësuesve dhe nxënësve thjesht në mall!

Ky kuptim mbi efektivitetin e shkollës, po e shndëron atë në një industri të gjerë, që po legjitimohet çdo ditë nga politikat publike, financimet e ç’është më e keqja dhe nga studime e kërkime mbi arsimimin! duke u bërë kështu dhe gjuha që artikulohet në praktikën dhe menaxhimin e shkollave.

Politika dhe praktika të tilla godasin thelbin e vlerës së edukimit, që në qendër të tij, duhet të ketë fëmijën, pasi nuk mund të ketë çmim që mat nevojat sociale, shpirtërore dhe psikologjike të një fëmije.

Pra, ajo që mungon dhe do duhet të zhvillohet, është dimensioni njerëzor i shkollimit.
Fatkeqësia është se dhe vetë prindërit nuk i dërgojnë fëmijët në shkollë nga dëshira që ata të dinë e të mësojnë, por sepse dëshirojnë që ata të zënë një punë e të sigurojnë një mundësi për jetesë. Ideja e prindit për arësimin, duket se po bëhet sigurimi i statusit social dhe parasë. Atyre sikur nuk po ju intereson më mësimi, por më së shumti karriera dhe mirëqenia ekonomike e fëmijës së tyre!

Nëse prindi e dërgon fëmijën në shkollë, sepse dëshiron që ata të dinë e të mbeten të etur për dije, pavarësisht nëse do të fitojnë apo jo para nesër dhe vetë fokusi i edukimit do të ndryshojë – sepse shkolla dhe mësuesit presupozohet se plotësojnë kërkesën që kanë prindërit për fëmijën e tyre.

Me këtë shkollim, që po ofrohet sot, fëmijët në moshën e haresë dhe gëzimit të jetës, po bëhen të trishtuar, sepse prindi po i çorienton me detyrime të panevojshme, ndërtuar nga ambicja e tyre. Nuk ka rëndësi se çfarë ndodh me fëmijën. Ata duan që fëmija t’ju dalë i pari!!
Konkurenca nuk është mënyra e duhur dhe e shëndetshme për të shfaqur aftësitë e vërteta njerëzore. Kur konkuron, fokus është tjetri dhe jo zbulimi dhe arritja e kapaciteteve vetjake.
Me llojin e shkollimit që po ofrojmë, ne po shkatërojmë një brez të tërë!

Të edukosh do të thotë të zgjerosh horizontet. Shkollimi i ditëve të sotme, në vend të zgjerimit të horizonteve, po i ngushton ato! Shkolla sot ofron vetëm informacion, por aspak frymëzim, ndërkohë që në epokën e teknologjisë së informacionit, mësuesi nuk mundet kurrësesi, të jetë mjeti më i mirë i transmetimit. Këtë, tashmë e dimë të gjithë. Mësuesi duhet të jetë mjeti më i mirë frymëzimit.

Një proces mësimor monoton dhe përsëritës i asaj që ka ndodhur, është gjëja më e keqe që po i bëhet fëmijvë sot. Fëmijët paraqiten të çorientuar, nuk dinë çfarë të bëjnë, por edhe nëse mendojnë e kanë afatshkurtër.

Ajo që duhet kuptuar nga të gjithë, por sidomos nga prindërit, por edhe nga mësuesit, është që suksesin nuk ta jep diploma, por aftësia.
Studjues në mbarë botën deklarojnë se në 20- vite arsimimi formal, shtatëdhjetë për qind e inteligjencës së fëmijës shkatërrohet në mënyrë të pakthyeshme. Përpos kësaj, ajo që shohim tek fëmijët e sotëm, është ankthi, impulsiviteti, çrregullime të vëmendjes dhe depresion!
Kjo është ajo që duam ne si mësues dhe prindër?

Bota po ndryshon aq shpejt sa ne nuk e dimë, se cilat baza dhe aftësi intelektuale janë më të rëndësishmet për t’ju ofruar brezit për të ardhmen.
Pandemia COVID-19, duket se çorri maskën dhe shfaqi një shoqëri të dobësuar, me tensione politike dhe racore që u rizgjuan dhe përshkallëzuan, zbuloi një botë më të mbushur me përçarje, dhunë dhe urrejtje.
Pra, ajo që mbizotëronte, nuk paskësh qenë detyrimisht e duhura.
Ne duhet të zgjohemi.
Pavarësisht, unë mbetem shpresëplotë se shkollat dhe sistemet tona arsimore mund të jenë pjesë e rëndësishme e zgjidhjes, por duke u kujdesur që sloganet për arsim më të mirë, të shoqërohen me zgjidhje të shëndetshme dhe që kanë në konsideratë dhe marrin masa mbrojtje ndaj efekteve të mundshme anësore/negative tek nxënës- studentët.
Gëzuar vlerës së dijes dhe shpirtit njerëzor!

SHKARKO APP