Minatorët e Bulqizës vijojnë bojkotin, kërkojnë rritje pagash dhe më shumë siguri në punë

Një pjesë e minatorëve të minierës së kromit në Bulqizë kanë vijuar edhe këtë të enjte bojkotin e punës, duke refuzuar të futen në galeritë nëntokësore. Protesta lidhet kryesisht me formulimin e pagës së 13-të në kontratën e re kolektive, ku punonjësit kërkojnë që ajo të përcaktohet si “pagë e 13-të” dhe jo si “shpërblim vjetor”, pasi e konsiderojnë një të drejtë të garantuar për punonjësit.

Pas protestës së një dite më parë, Albchrome njoftoi se paga e 13-të do të paguhet brenda datës 15 dhjetor të vitit përkatës, sipas një marrëveshjeje të arritur me sindikatën. Megjithatë, minatorët thonë se problemi nuk lidhet vetëm me afatin e pagesës, por edhe me mënyrën se si është përcaktuar ajo në kontratë.

Gjatë protestës, punonjësit ngritën edhe kërkesa të tjera, mes tyre rritjen e pagave me të paktën 20%, respektimin e orarit të punës dhe përmirësimin e kushteve në minierë. Ata shprehën shqetësime për mungesën e pajisjeve mbrojtëse, vonesat në zëvendësimin e tyre dhe nevojën për më shumë investime në sigurinë teknike të galerive nëntokësore.

Swiss Digital Desktop Reklama

Minatorët kritikuan gjithashtu sindikatën, duke pretenduar se nuk janë përfaqësuar siç duhet gjatë negociatave për kontratën kolektive. Pavarësisht pakënaqësive, ata deklaruan se mbeten të hapur për dialog me kompaninë në funksion të gjetjes së një zgjidhjeje, ndërsa bojkoti i punës vijon.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?