Mini Shengeni, Fevziu: “S’ka transparencë”, Bejtja: Flluckë sapuni që s’do ndodhë kurrë
Mbrëmjen e sotme në emisionin “Zonë e Lirë” janë të ftuar Andi Bejtja, Blendi Fevziu, Arjan Çuri dhe Armand Shkullaku.
“Mini Shengeni/ Mollta e re e sherrit mes Tiranës dhe Prishtinës?”, ka qenë pyetja e shtruar në emision.
“Kjo që ndodhi me këtë të Mini Shengenit, ishte hera e parë që kishte një përplasje serioze Shqipëri-Kosovë. Ky Mini Shengeni është një flluckë sapuni që s’do ndodhë kurrë. Edhe Thaçi, edhe Isa Mustafa doli kundër Mini Shengenit Ballkanik”, tha Bejtja.
“E para në parim s’ka pasur kundërshtim për principin. Kemi Malin e Zi që s’ka pranuar, Bosnjen që ka refuzuar. Ka një vështirësi. Ka një problem serioz, që është bërë një dokument prej 100 e ca pikash, s’ka transparencë. Po sikur hapja e kufijve për biznese të mbytë Shqipërinë me mallra serbe? Duhet të dimë detaje për këtë Mini Shengen. Këtu po luhet me mungesë të plotë transparence. Edhe shkëmbimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, u bë pa transparencë”, ka thënë Fevziu.
“Kur pashë dje spotin që i kishte bërë qeveria dhe e shpërndau Rama, e kuptova që bëhet thjesht për propagandë. ‘Po bëhet për njerëzit e thjeshtë’, thoshte spoti. Mbas rënies së një plani për shkëmbim kufijsh dhe dështimit të negociatave, Rama me çdo kusht do të mbetet një lloj faktori. Do të tregoj bashkë me Vuçiç se këta të dy janë liderë që bëhen faktor në Ballkan. Të arrish brenda tre orësh, të bësh gjithë faktorët kosovarë kundër teje, është një koncept i gabuar. Serbët janë agresorët ndaj shqiptarëve, nuk janë viktimat. Patjetër që për çdo kontakt duhet të kalosh nga Prishtina, s’mund të dalësh me Vuçiç dhe të thuash do bashkosh Ballkanin kur Shqipëria është në krizë të thellë. Nuk ka asgjë konkrete për të bërë Mini Shengenin, për ta kuptuar duhet të paktën një 10 vjeçar”, ka thënë Shkullaku.
“Është një lloj fabule e re që këto vendet e Ballkanit të merren disa vite me njëra-tjetrën. Të gjithë janë brenda lojës, realisht kjo është një tallje e madhe. Ndryshimi është se mbas kësaj marrëveshje, ne në Serbi do shkojmë me ID, kur tani shkojmë me pasaportë. E lexuar nën rreshta e gjitha është një fabul e re me bekimin e Brukselit dhe Berlinit, që këto shtete të integrohen dhe të njihen me njëra-tjetrën. Kjo është toka ku themelohet e gjithë kjo ide për të shkuar më pas drejt integrimit europian”, ka thënë Çuri.