Minimumi jetik 200 euro i propozuar nga opozita, Malaj: I paplotë

Ministri i Financave, Petrit Malaj tha sot në Komisionin për Ekonominë dhe Financat të Kuvendit se propozimi i bërë nga deputetët e Partisë Demokratike në vitin 2023 për caktimin e një minimumi jetik në vlerën 200 euro në muaj është i paplotë. Duke iu përgjigjur interesit të deputetes së PD-së, Jorida Tabaku për propozimin për minimumin jetik, Malaj tha se “propozimi i bërë është i paplotë, sepse nuk ka një analizë të detajuar për sa i përket përcaktimit të minimumit jetik, pra, pse ajo vlerë dhe jo një vlerë më e madhe”.

“E dyta, propozimi i bërë nuk përcakton nëse ai mbulon nevoja të personave në nevojë dhe për tepër nuk merr parasysh as ndihmat sociale që qeveria jep në llogaritjen e minimumit jetik. Besoj e keni marrë një përgjigje nga Ministria e Financave dhe ne e quajmë ezauruese përgjigjen në lidhje me këtë çështje”, theksoi Malaj.

Tabaku tha se “ka një propozim ligjor për minimumin jetik, i cili ka ardhur disa herë edhe kur është bërë prezantimi i projektbuxhetit. Ku ndodhemi me minimumin jetik dhe a ka ndonjë masë qeveria për pensionin minimal? Sa do të jetë pensioni minimal me këtë buxhet apo turi është vetëm çështje propagande meqenëse indeksimi i pensioneve nuk i kënaqi pensionistët?”.

SHKARKO APP