Minishengeni, flet zv.ministri: Marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri të shkëlqyera, edhe pse mund të kemi pikëpamje të ndryshme
Zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Sokol Dedja, thotë se minishengeni ballkanik është përgatitje ekonomike për anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
I ftuar në Ora News, ai tha se ky është një proces natyrshëm i hapur për Kosovën dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Dedja: Marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri janë të shkëlqyera. Mund të ndodhë të kemi pikëpamje të ndryshme që sqarohen. Është në interesin e të gjithë. Përfshirë Kosovën, krijimi i kësaj ndërlidhje ekonomike midis vendeve të rajonit. Forcimi i bashkëpunimit ekonomik në rajon, heqja e pengesave për shkëmbimet tregtare është në interes të bashkëpunimit panshqiptar.
Duke folur për metodologjinë e re të zgjerimit, Dedja thotë se ajo rrëzon një nga pengesat kryesore se pse Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk hapën negociatat në tetor.
Dedja: Pengesat e deritanishme nuk kishin të bënin shumë me plotësimin apo mosplotësimin e kushteve por rezervat e disa vendeve anëtare lidhur me mënyrën si funksionojnë negociatat e anëtarësimit. Franca së pari kërkoi ndryshimin. Kjo heq pengesat në rrugën e hapjes së negociatave të anëtarësimit. Kjo metodologji për ne sjell monitorim më të rreptë të reformave. Ky është lajm pozitiv.Kjo do ta bëjë më të vështirë procesin, do të ketë më shumë kërkesa sesa ka pasur gjatë procesit të negociatave. Objektivi i negociatave mbetet përgatitja e vendit për të qenë pjesë e BE.
Pranvera është testi i radhës dhe sinjalet janë pozitive. Por sipas të gjitha gjasave puna e madhe nis me hapjen e negociatave.
Dedja: Kontrolli i rreptë garanton suksesin e reformave. Rrezik ka për ngadalësim të procesit si rezultat i këtij monitorimi të rreptë. Kemi shumë punë përpara përgjatë procesit të negociatave.Kemi një punë të madhe përpara. Jemi gati për ta filluar këtë punë të madhe.