Ministrat e Ramës nuk respektojnë masat kundër virusit. Vasili: SPAK zgjohu!

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili ka publikuar sot foto të aktiviteteve të ministrave dhe kabinetit “Rama”, në të cilat zyrtarët e lartë nuk respektojnë asnjë masë kundër koronavirusit.
Vasili shprehet se këta zyrtarë janë përhapësit më të mëdhenj të infeksionit. Ai shton se para se të gjobiten bizneset dhe qytetarët duhet që gjithë funksionarët e lartë të merren në hetim.
“SPAK zgjohu, Rama dhe qeveria përhapën dhe përhapin Pandemine. Kanë edhe fytyrë këta të qeverisë dhe gjobisin qytetare e biznese për pandeminë. Rama me qindra policë, deputetë, kryetarë bashkie tufa-tufa, kryetari bashkisë së Tiranës etj etj, përhapin Pandeminë, shkelin dhe dhunojnë vetë kufizimet me çfarë ju vjen për dorësh. Çfarë të drejtë kanë mbi ligjin këta të rilindjes. Këta që i çanë veshët gjithë popullit për drejtësi e reforme në drejtësi, e gjoja barazi para ligjit e dreqin me te bir”,- shprehet Vasili.
Nënkryetari i LSI-së ka dhe një apel për prokurorët e SPAK, të cilët duhet të shohin vetëm fotot për të kuptuar shkeljet ligjore të zyrtarëve të lartë.
“SPAK boll fjete!! Njerëzit po infektohen dhe vdesin nga koronavirusi për shkak të vetë qeverisë dhe drejtësia fle. Ju të SPAK shihini fotot, boll u trembet, bëjeni detyrën dhe çojini në burg këta genocidiste”,- deklaron Petrit Vasili.

SHKARKO APP